Prestigjiozja italiane Corriere della Sera i ka kushtuar një artikull të veçantë këngëtarit kosovar Yll Limani, duke e prezantuar si një nga emrat më të spikatur të brezit të ri të muzikës pop shqiptare dhe një artist që po zgjeron gjithnjë e më shumë praninë e tij ndërkombëtare.
Artikulli vjen në prag të koncertit të Limanit në ChorusLife Arena në Bergamo më 3 tetor, që do të jetë edhe ndalesa e vetme italiane e turneut të tij aktual.
Mediumi italian rikthen në vëmendje edhe fillimet e karrierës së këngëtarit, që nisi të bëhej i njohur për publikun me pjesëmarrjen në sezonin e parë të The Voice of Albania në vitin 2011.
Pesë vjet më vonë, ai mori pjesë në Festivali i Këngës 2016, ku u rendit në vendin e tretë.
Sipas Corriere della Sera, ngritja e Limanit ka qenë e vazhdueshme. Sot ai numëron rreth 700 mijë dëgjues mujorë në Spotify, ndërsa disa prej këngëve të tij kanë grumbulluar dhjetëra miliona transmetime.
Një prej sukseseve më të mëdha është “Malli”, që ka kaluar shifrën e 30 milionë dëgjimeve në platformat muzikore.

Artikulli ndalet gjithashtu te transformimi artistik i këngëtarit.
Në fillimet e tij, Limani u dallua kryesisht për baladat e ngadalta dhe romantike që vinin në pah vokalin e tij, ndërsa me kalimin e viteve ai ka eksperimentuar gjithnjë e më shumë me tingujt pop dhe R&B.
Sipas medias italiane, një nga karakteristikat që e ka bërë të dallueshëm është aftësia për të ndërthurur elementet moderne të muzikës pop me melodi dhe ndikime që ruajnë lidhjen me origjinën e tij shqiptare.
Turneu i tij aktual, Thirrëm Sot ose Nesër, mban emrin e albumit më të fundit dhe përfshin një seri koncertesh jashtë Kosovës dhe Shqipërisë.
Pas Bergamos, Limani do të vazhdojë me performanca në vende të tjera europiane, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe.
Turneu më pas do të kalojë edhe Atlantikun, ndërsa më 5 dhjetor këngëtari është planifikuar të performojë në New York.
Corriere della Sera e përshkruan këtë turne si një kapitull të ri në evolucionin artistik të Yll Limanit dhe thekson se këngëtari po bëhet gjithnjë e më i pranishëm edhe jashtë tregut muzikor shqiptar.
Me koncertin e tij të parë në Itali dhe me ndalesa të tjera në Europë e SHBA, Limani po e zgjeron audiencën e tij ndërkombëtare, ndërsa vazhdon të ruajë identitetin muzikor që e bëri të njohur në Kosovë dhe Shqipëri.
