COVID-19 prek edhe shkollat e Pejës, 64 nxënës e 9 mësimdhënës të infektuar

COVID-19 prek edhe shkollat e Pejës, 64 nxënës e 9 mësimdhënës të infektuar

Ka pak ditë që u kthyen nga pushimi për të nisur gjysmëvjetorin e dytë.



Megjithatë, disa nxënësve në qytetin e Pejës u është dashur të kthehen prapë në shtëpi.

Kjo për shkak se një pjesë e tyre rezultuan pozitiv në testet për koronavirus. Infektimit, pos tyre, nuk i shpëtuan as mësimdhënësit.

“Deri në ora 16 të ditës së djeshme (e martë) sipas shifrave zyrtare të drejtoratit tonë, janë vetëm 64 nxënës dhe 9 mësimdhënës që kanë rezultuar pozitiv me COVID”.

Kështu konfirmoi drejtori i Drejtoratit për Arsim në Komunën e Pejës, Naser Gega.

Më të prekur janë shkollarët pejanë që vijojnë mësimin në shkollat: “Asdreni”, “Lidhja e Prizrenit” e “Tetë Marsi”,

Andaj për këto dhe të tjera institucion shkollore, ku është shfaqur virusi, dega e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në këtë komunë ka dalë me rekomandime.

“Nëse brenda ditës, në një shkollë, jo në klasë, dalin pesë e më shumë nxënës pozitiv atëherë shkon shkolla online”, u shpreh drejtoresha e kësaj dege, Adnora Nurboja.

Kushti për të kaluar në mësimin online, sipas drejtorisë komunale të arsimit – s`është “pjekur” akoma.

“Jo, niherë jo. – Sot i kam thirr drejtorët e shkollave në një takim, ku do të marrin pjesë edhe drejtori i Drejtoratit të Shëndetësisë, si dhe drejtoresha e QKMF-së, ku do të sqarohen edhe nëjherë, sepse janë udhëzimet e sakta sipas IKSHPK-së, se ku dhe si duhet me vepru”, theksoi Naser Gega, drejtor i Drejtoratit për Arsim në komunën e Pejës.

E nga drejtoria tjetër, ajo e Shëndetësisë, Petrit Loci shpjegoi procedurat nëpër të cilat kalojnë ata shkollarë që dyshohet se e kanë virusin.

”Nëse një nxënës ka simptoma, atëherë testohet shkoku i bankës, dy shokët para bankës së tij, si dhe dy shokë prapa. – Kështu veprohet sipas rregullave. Mësimdhënësi e drejton nxënësin tek pediatri në QKMF, i cili nëse e vlerëson pas kontrollave se është për testim, atëherë nxënësi testohet, mirëpo gjithcka bëhet duke mos e rreziku shëndetin e fëmiut e as të tjerëve”, u shpreh drejtori Loci për “Front Online”, përcjellë Gazeta “Enigma”.

Ndryshe, në komunën e Pejës aktualisht janë 260 raste aktive me virusin COVID-19. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles