CSL padit Qeverinë për anulimin e emërimit të Drejtorit të IKAP-it

CSL padit Qeverinë për anulimin e emërimit të Drejtorit të IKAP-it

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative padi për anulimin e vendimit të Qeverisë në detyrë, për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP) dhe kërkesën për pezullimin e zbatimit të tij deri në vendosjen meritore të rastit.

Sipas CSL-së, vendimi i Qeverisë në detyrë është përcjell me shkelje kushtetuese dhe paligjshmëri si në aspektin procedural ashtu edhe material e të cilat thuhet se kanë cenuar të drejtat e punës për paditësen për çka edhe CSL kërkon anulimin në rrugë gjyqësore të këtij vendimi.

“Njëra nga shkeljet më të mëdha të identifikuara dhe argumentuara në padi është se Vendimi për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të IKAP-it është marrë sipas propozimit dhe miratimit nga Kryeministri dhe ministrat në detyrë të cilët mbajnë njëkohësisht edhe pozitën e deputetit/es. Kjo çështje që ka filluar të bëhet praktikë e paligjshme është dëshmuar tashmë me Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, P.A.nr.09/2025, i datës 7 korrik 2025, i cili ndër të tjera thekson mospajtueshmërinë dhe cenimin e parimeve të mishëruara në Kushtetutën e vendit sa i përket ndarjes së pushteteve dhe ndalimit të ushtrimit të dyfishtë të funksioneve”, thotë CSL.

Shkeljet tjera ligjore të identifikuara nga CSL, të cilat thonë se e bëjnë të paligjshëm vendimin e atakuar me padi, janë:

-vendimi i emërimit nuk përmban arsyetimin sa i përket përzgjedhjes së kandidatatit të emëruar në raport me tre kandidatët fitues, duke shkelur dispozitat e obligueshme të Ligjit për Zyrtarët Publik, si ligj material;

-vendimi nuk përmban elementet e detyrueshme të aktit administrativ sepse të njëjtit i mungon pjesa e arsyetimit dhe këshilla juridike, kërkesa ligjore këto të përcaktuara në Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, si ligj procedural;

-vendimi është marrë duke injoruar në tërësi meritokracinë dhe përfaqësimin e drejtë gjinor sepse i është dhënë përparësi kandidatit të dytë dhe i cili nuk është nga gjinia e nënpërfaqësuar duke shkelur rregullat e përcaktuar në Ligjin për Zyrtarët Publik dhe Ligjin për Barazi Gjinore.

CSL ka kërkuar nga Gjykata që pas shqyrtimit gjyqësor të çështjes, të nxjerrë aktgjykim me të cilin aprovon në tërësi padinë, anulon vendimin e Qeverisë në detyrë për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm në IKAP për shkak të shkeljeve kushtetuese dhe ligjore të cekura më lartë.

“Për shkak të nivelit të lartë të pasojave që mund të shkaktojë për interesin publik, është propozuar edhe pezullimi i zbatimit të Vendimit të kontestuar të Qeverisë”, u tha në njoftimin e Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL). 

Related Articles