Pasi u raportua nga mediumet kosovare rreth nxënësve të komunitetit RAE, të cilët janë parë teksa lihen anash në Festën e Abetares, në sallën Karagaç të Pejës, reagimet ishin të shumta, raporton Gazeta Enigma.
Në një video të publikuar shihen se si fëmijet nga komuniteti RAE nuk janë duke vallëzuar e kënduar sikur të gjithë të tjerët, por që janë ndaras nga ta.
Sipas mësueses kjo ishte rastësi, sepse me vetë dëshirë ata janë ulur ndaras, nuk ka qenë asnjë qëllim tjetër.
Ndërkohë që fëmijët kur u pyetën se a janë ulur me dëshirë apo i ka detyruar dikush, përgjigja e tyre ishte se mësuesja kishte kërkuar që ata të ulen në një pjesë e cila i ndanë nga turma e fëmijëve të tjerë.
Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka shprehur shqetësimin për këtë rast dhe se theksoi se do të shqyrtohet me prioritet një fenomen të tillë. Ku edhe gjatë ditës së sotme ministrja Nagavci, ka shkuar tek shkolla “Xhemajl Kada” në Pejë për të marrë informacione lidhur me rastin.
“Si ministre e MASHTI-it shpreh shqetësimin e thellë për rastin e raportuat në medie si diskriminues për pjesëmarrjen e nxënësve nga komuniteti: rom, ashkalinj dhe egjiptas në aktivitetin e sotëm të Festës së Abetares, në Pejë. Këtë rast që bie ndesh me organizimin gjithëpërfshirës, do ta shqyrtojmë me prioritet që nesër me DKA-në e Pejës”, ishin fjalët e Nagavcit.
Gjithashtu ministrja theksoi se një gjë të tillë, një deskriminim sidomos ndaj fëmijëve e dënoj në çdo formë.
“Parimi i mos diskriminimit është pjesë e politikave dhe veprimeve tona në vazhdimësi, prandaj duhet respektuar dhe zbatuar në të gjitha nivelet. Si ministre, mësimdhënëse, nënë e qytetare, dënoj çdo formë diskriminimi, në çdo relacion, e posaçërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, te cilët duhet t’i rrisim me dashuri e barazi në çdo hap të jetës”, përfundoi ministrja e MASHTI-it.
Drejtori i shkollës “Xhemajl Kada”, në Pejë, tha se komuniteti prej 10 nxënësve, kanë shpreh vullnetin për të shikuar programin pasi që nuk janë bashkëmoshatar të fëmijëve që ishin poshtë në sallë. Sipas tij bashkë me mësuesen kanë lejuar pjesëmarrjen e tyre si ‘shikues’ të këtij organizimi. Ata nxënës ishin të moshës, 9, 10, 11 vjeçare.
Ndërkohë që drejtori theksoi se nxënësit e komunitetit RAE në këtë shkollë janë duke kryer mësim intenziv, pasi që janë të ardhur nga Mali i Zi, e vende të tjera, ku në bashkëpunim me Organizatën Joqeveritare Syri Vizion, punojnë për t’i mundësuar të ndjekin mësimet e humbura në mungesë të shkollimit të mëhershëm.
Mësuesja thotë se fëmijët nga komuniteti RAE, janë të moshave madhore, që nuk kanë qenë asnjëherë në shkollë, ku ministria i ka mundësuar që këta fëmijë të moshave të ndryshme të bëhen bashkë në një paralele nga klasa e parë deri në të pestë. Nuk ka diskriminim këtu, por vetëm pse nxënësit nuk janë regjistruar me kohë në shkollë, ka sjellur një klasë të përbashkët me mosha të ndryshme dhe kjo klasë ekziston tash e dhjetë vite.
Gjithashtu mësuesja u shpreh se rasti i raportuar nga mediumet kosovare, është keqinterpretuar.
Kurse drejtori i arsmit në Pejë, Naser Gega, lidhur me këtë ngjarje u shpreh se fëmijët të cilët janë parë të anashkaluar me rastin e Festës së Abetares, nuk janë nxënës të klasës së parë, për të cilët edhe ishte organizuar një festë e tillë, sipas tij ata ishin të moshës 9+. Ku nxënësit nga komuniteti RAE, që ishin prezent në këtë organizim kishin shkuar në mënyrë vullnetare për të shikuar programin.
“Jo ata nuk kanë qenë nxënës së klasës e cila e ka organizuar Festën e Abetares, ata ishin si të gjithë nxënësit e tjerë të shkollës të cilët kanë ardh për ta shikuar programin. Edhe ata si të gjithë nxënësit e tjerë kishin lirinë e vendosjes bash ku të dëshironin në palestrën sportive ku është organizuar festa. Ngjarja është keqkuptuar nga mediat sepse ata kanë ardh prej vullnetit të mirë, iu ka thënë mësuesja ejani me e pa nëse doni programin dhe kanë ardh. Ata janë vendos në një kënd ku ua ka marr mendja atyre”, ka thënë Gega.
Lidhur me këtë ngjarje nuk mungoi as reagimi i ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, i cili u shpreh se një gjest i tillë duhet dënuar dhe kërkoi nga institucionet që të thirren në përgjegjësi personat përgjegjës.
“Ndihem i shqetësuar shumë për rastin e sotëm ku nxënësit e komuniteteve janë lënë anash në festën e Abetares, në një organizim në Pejë. Nga Ministrja Arbërie Nagavci u njoftova se janë duke e trajtuar rastin në mënyrë që të kuptohet e vërteta dhe se në shkollat tona s’ka hapësirë për diskriminim e pabarazi. Faleminderit mediave për senzibilizimin dhe raportimin e këtyre veprimeve të patolerusheme. Dhe njëherë ju drejtohem me thirrjen se përdorimi i termit ‘RAE’ është joadekuat dhe ofendues”, u shpreh Krasniqi.
Edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka reaguar sa i përket kësaj çështje, teksa edhe e ka kritikuar ashpër pushtetin aktual, që sipas saj një ministre e Arsimit e cila e shkelë Kushtetutën, nuk mund të jetë modeli i fëmijëve dhe të rinjëve të Kosovës.
“Festa diskriminuese e ABETARES dhe një Ministre e Arsimit që nuk e mësoi dot ABC – në e punës dhe përgjegjësisë së saj.Kjo pamje e turpshme diskriminuese nuk është e tëra e asaj çfarë ndodhi në festën e ABETARES në Pejë.Diskriminim përtej në kuptim hapësinor të nxënësve të komunitetit RAE – Romë, Egjiptian dhe Ashkali, kishte edhe në adresimin e ministres e aq më tepër dëgjuam një mësuese që gënjente në sy dhe nuk mërzitej fare.Moti e kam thënë që një Ministre e Arsimit që shkelë Kushtetutën, nuk mund të jetë modeli i fëmijëve dhe të rinjëve të Kosovës.Kaq për imazhin e përmbajtjen nga Partia në pushtet që tanë jetën ka folur për BARAZI”, ka shkruar Hoxha.
Një gjë të tillë e ka dënuar ashpër edhe Organizata ‘’Zëri i Romëve Ashkalinjve dhe Egjiptianëve’’, sipas tyre një diskriminimi tillë duhet të dënohet ashpër dhe kërkojnë nga MASHTI, urgjentisht të dënohen gjestet e tilla.
““Rasti i fundit, më datë: 17 maj 2022, ku 10 fëmijë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian nga komuna e Pejës u mblodhën në ‘Festën e Shkronjave të Abetares’, doli të jetë segregues e diskriminues ndaj tyre. Kështu duke u cenuar të drejtën të festonin bashkë me fëmijët e tjerë.“OJQ Zëri i Romëve Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, dënon ashpër veprimet e tilla përjashtuese dhe diskriminuese të pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në secilën formë segreguese, e sidomos kur kemi të bëjmë me fëmijë, si kategori më e ndjeshme e shoqërisë sonë. Veprimet nga MASHTI dhe Drejtoria Komunale e Arsimit në Pejë, duhen të jenë urgjente dhe efikase në marrjen e masave adekuate ndaj rasteve të tilla që kanë ndikim negativ tek këto komunitete dhe shoqëria në përgjithësi”, thuhej në reagim.
Vetëvendosje thotë se veprimet e tilla janë të paparanueshme dhe mbi të gjitha është një gjest i turpshëm sipas tyre.
“Jo Segregacionit! Çdo veçim, dallim, përjashtim, kufizim ose preferencë në çfarëdo baze tjetër, në çfarëdo rrethane i nxënëseve në hapësira shkollore, është absolutisht i papranueshëm, kundërkushtetues i jashtëligjshëm dhe i dënueshëm. Ngjarja si kjo e djeshme në Pejë, ku fëmijët romë, ashkalinj dhe egjiptianë në “Festën e Abetares” u veçuan nga pjesa tjetër e fëmijëve, është ngjarje e turpshme dhe nuk i duhet dhënë as më të voglën mundësi që të mund të përsëritet prapë. Segregimi është i patolerueshëm dhe i ndëshkueshëm”.
Ndërkaq nuk ka munguar reagimi as nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, e cila u shpreh se për një gjë të tillë ministria e arsimit duhet të reagojë me urgjencë e ti pastroj ambientet shkollore nga mësues e edukatorë racist.
“E pa tolerueshme. Kushdo që ka marrë një vendim te tillë, nuk e ka vendin në institucionet tona arsimore. Ministria e arsimit me urgjencë te reagojë e ti pastroj ambientet shkollore nga mësues e edukatorë racist”, u shpreh Matoshi.
/ GazetaEnigma