Daka: Vendimi për shkarkimin tim është antikushtetues dhe qesharak

Daka: Vendimi për shkarkimin tim është antikushtetues dhe qesharak

Ish kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e cila ishte në krye të këtij institucioni që nga viti 2008, doli para mediave pas vendimit të presidentes Osmani, për ta shkarkuar atë, raporton Gazeta “Enigma”.

Me këtë rast Daka e cilësoi këtë vendim si politik dhe të jashtëligjshëm.

“Tashmë të gjithë e dini se dje me vendimin e saj presidentja e Kosovës, ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin e dhënë gjatë fushatës zgjedhore për shkarkimin tim. Dua të ju bëjë të ditur se ky është një vendim jo kushtetues dhe i pa mbështetur në ligj. Këtë e them duke u mbështetur në faktet se arsyetimi i dhënë në shkarkimin tim jo vetëm që është kontradiktor e i paligjshëm por edhe qesharak”, tha Daka.

Daka ndër të tjera theksoi se para se të merret vendimi për shkarkimin e saj, Osmani i kishte kërkuar asaj dorëheqjen, në këmbim të falënderimit publik për kontributin e saj. Një gjë të tillë Daka tha se nuk e pranoi, pasi që ishte jo e drejtë.

“Ky vendim i presidentes shihet qartë se ishte përgatitur më herët dhe kjo e dëshmon edhe fakti për emërimin brenda pak minutave të kryetarit të KQZ-së. Këtij vendimi i parapriu një takim ku isha e ftuar unë nga presidentja. Në këtë takim ajo ka kërkuar që unë të ofroj dorëheqje dhe në këmbim do të pranoj falënderime publike si dhe më premtoi bashkëpunim në të ardhmen. Asaj i kam thënë se e kam përmbushur detyrën time dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi”, tha tutje ajo.Ajo i cilësoi si të pa baza gjitha arsyet e dhëna në vendimin për shkarkimin e saj. Ajo tha se ajo është shkarkuar për një vendim kolegjial. /Gazeta Enigma.



Related Articles