Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, ka thënë se veprimi i deputetes Albena Reshita, për votimin e Vjosa Osmanit presidente, ka qenë një veprim i gabuar. Haradinaj nuk ka treguar se a do të përjashtohet deputetja Reshitaj nga AAK, duke thënë se ende nuk ka asnjë vendim nga organet e partisë.
Tutje, ai ka thënë se ka qenë iniciator që deputetes Albena Reshitaj, t’i jepet hapësirë në AAK, duke e bërë kryetare të komisionit për shëndetësi, në mandatin e kaluar të Kuvendit.
“Ende nuk ka një vendim të organave të AAK-së, se a do përjashtohet apo jo. Derisa ka një vendim atëherë ajo është pjesë e AAK-së. Mirëpo, ajo që po e ripërsëris është që, zonja Reshitaj nuk ka bërë mirë që ka marrë pjesë në votimin e presidentit. Ne e kemi pasur kandidatin tonë për president dhe në saje të kësaj i kemi marrë ato vota që i kemi marrë. Tjetra, kur Albena Reshitaj ka ardhur në AAK, unë kam qenë iniciatori që ajo të bëhet kryetare e komisionit për shëndetësi. Më është dashtë që të shkojë gati te secili deputet i AAK-së, për t’i bindur se zonja Reshitaj duhet ta marrë këtë pozitë, për shkak se është një prurje e re, dhe si e tillë duhet dhënë hapësirë më të madhe”, ka thënë Haradinaj për Rubikon.