Po vazhdon të kundërshtohet udhëzimi administrativ që e ndalon bartjen e shamisë në shkolla. Për këtë ka filluar një fushatë dhe një kërkesë drejtuar Ministrisë së Arsimit, derisa nga këta të fundit nuk kanë përgjigje konkrete për këtë çështje.
Që nga viti 2014 ekziston një udhëzim administrativ i Ministrisë së Arsimit, që ndalon bartjen e shamisë në shkolla.
Ani pse aktualisht nuk zbatohet në tërësi si akt, dikush po do që si i tillë të ndryshohet, dhe ajo pikë mos të ekzistojë fare.
Ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurit, juristi Durim Berisha i ka drejtuar Ministrisë së Arsimit një kërkesë për anulim të nenit kontestues të Udhëzimit Administrativ.
Krahas kësaj kërkese në rrjetin social Facebook ka nisur një fushatë me fotografi me hashtag #ndryshojeni_ua_per_shaminë.
Organizatori i saj Liridon Kurti thotë se kanë marrë mbështetje të madhe. Sipas tij, nëse brenda 45 ditësh ministria nuk e trajton kërkesën, ata do të ngrisin padi ndaj këtyre të fundit.
“Ministria e Arsimit i ka 45 ditë për me vendos në lidhje më kërkesën tonë, e nëse eventualisht MA e refuzon kërkesën tonë ne do t’i ndjekim proceset tjera, e të drejtat tona demokratike do t’i kërkojmë me mjete tjera, ndoshta edhe me procese gjyqësore duke i hapur padi Ministrisë së Arsimit”, ka shtuar Kurti.
Këtë udhëzim administrativ, po e vlerëson në kundërshtim me të drejtat e njeriut edhe avokati Asdren Bytyqi.
“Zotëri Kurti ka premtu në dy palë zgjedhjet e fundit që do ta heqë këtë udhëzim administrativ ngaqë e ka ditë që është i kundërligjshëm, tash mendoj që është koha, jemi në vitin e dytë të qeverisjes dhe konsideroj se çdo vonesë është vazhdim i kundërligjshmërisë i pasigurisë juridike dhe psiqike ndaj atyre vajzave dhe familjarëve të tyre“, ka thënë Bytyqi.
Por, kjo nuk është hera e parë që ka një iniciativë të tillë që e konteston këtë udhëzim administrativ.
Një gjë të tillë e thotë edhe kryetarja e komisionit për të drejtat e njeriut, Duda Balje.
“Ne asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje negative as nga ministria as nga vetë ministrja e Arsimit e as nga qeveria që merren me të drejtat e grave, por deri tash asnjë gjë konkrete nuk kanë bërë. Asnjë veprim konkret nuk ka. Ky ka qenë edhe premtimi i kryeministrit në momentin kur ka pas nevojë ta bëjë atë premtim”, ka theksuar Balje.
Nga ana tjetër nga Ministria e Arsimit nuk japin përgjigje konkrete mbi këtë temë.
“Neni 3, paragrafi 1.13 i Udhëzimit Adminisitrativ Nr. 06/2014 ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla, kjo sepse shkolla jonë është sekulare. Krahas shtetit sekular, e drejta për shkollim nuk mund t’i mohohet askujt, nga askush. Si ministri këtë çështje jemi duke e trajtuar me kujdes dhe sapo të kemi një vendim të ri do t’ju njoftojmë. Ministria e Arsimit, Shkencës,Teknologjisë dhe Inovacionit e ka obligim që të sigurohet që çdo fëmijë të jetë në shkollë.
Çështja e lejimit të bartjes së shamisë në shkolla, është një nga temat që sjellë shumë debat në Kosovë.
Debati i fundit që mori përmasa të mëdha sa i përket kësaj çështje, u shkaktua pasi në një shkollë në Gjakovë, ishte vendosur një shenjë që ndalonte hyrjen me shami brenda objektit.