Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë mbajtur informimin javor, për të dhënë informacion në lidhje me procedurat e fundit si dhe zhvillimet në këtë gjykatë.
Zëdhënësja e DHSK-së, Angela Griep ka njoftuar në lidhje me aprovimin e kërkesës së ZPS-së për të thirrur një dëshmitar shtesë në rastin ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.
Ajo tutje ka njoftuar edhe për dorëzimin e dosjes paraprake me prova deri më 17 dhjetor për rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Kransiqit.
“Dosja paraprake përfshin një përmbledhje të provave që prokuroria synon t’i paraqes kundër të akuzuarve në lidhje me secilin nga krimet e supozuara”, ka thënë Griep.
Kurse për rastin e Salih Mustafës apo komandant Cali, Griep ka njoftuar se gjatë ditës së martë dhe të mërkurë është dëgjuar dëshmitari i pestë i thirru nga prokuroria, i cili dëshmoi për organizimin dhe strukturën e UÇK-së në zonën e Zllashit.
“Ky dëshmitar dëshmoi nën masa mbrojtëse, përfshirë shtrembërimin e zërit dhe të fytyrës dhe u mor në pyetje nga prokuroria, mbrojtësi i viktimave, mbrojtja dhe nga gjyqtarët e trupit gjykues”, ka thënë Griep.
Kujtojmë që Dhomat e Specializuara çdo të enjten në ora 14:30, përmes platformës online ‘Zoom’ mbajnë informimin javor ku japin informacioni në lidhje me procedurat dhe zhvillimet e fundit në këtë gjykatë.
/Gazeta Enigma/