Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të punuar me Qeverinë e Kosovës për të avancuar prioritetet e përbashkëta, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit.
Kjo përgjigje nga autoritetet e SHBA-së erdhi pavarësisht kritikave që vendet e Quint-it (SHBA, Britani e Madhe, Itali, Francë dhe Gjermani) i kanë adresuar Qeverisë së Kosovës, pas moslejimit të mbajtjes në Kosovë të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, të caktuara më 3 prill.
Në reagimin e vendeve të Quint-it, më 23 mars, është shprehur “zhgënjimi i madh” ndaj vendimit e Qeverisë së Kosovës, duke thënë se sjellja e saj “nuk është në linjë me vlerat dhe parimet tona dhe do të minojë aspiratat e saj evropiane”.
SHBA-ja vazhdon “të ndihmojë Kosovën”
Por, përkushtimi i SHBA-së për të avancuar prioritetet e përbashkëta, i cili përmendet në përgjigjen e një zëdhënësi të DASH-it, nënkupton që SHBA-ja “të ndihmojë Kosovën të zhvillojë qeverisje të përgjegjshme, efektive, të ndërtojë një ekonomi të qëndrueshme, dinamike dhe të arrijë marrëdhënie më të mira me fqinjët e saj, ndërsa ajo zë vendin e saj përkrah tyre në Evropë dhe institucionet euroatlantike”.
“Ky prioritet përfundimtar dhe i rëndësishëm- integrimi i plotë në institucionet evropiane dhe euroatlantike – është një prioritet i përbashkët i deklaruar nga qeveritë, e Kosovës dhe Serbisë”.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të besojnë se mënyra më e mirë për të dyja vendet për ta arritur këtë është përmes angazhimit aktiv dhe fleksibil të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, duke rezultuar në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara të përqendruara në njohjen reciproke”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Marrëdhëniet që tejkalojnë një qëndrim të Qeverisë”
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës, me pyetjen se a ka pasur çfarëdo ndryshimi në raporteve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas reagimit kritikues nga ana e Quint-it për moslejimin e zgjedhjeve serbe.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se “Qeveria e Kosovës vazhdon të kultivojë marrëdhëniet historikisht dhe tradicionalisht të mira dhe miqësore me SHBA-në”.
Ai ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve është konstruktiv dhe se Qeveria e Kosovës është në komunikim të rregullt dhe të vazhdueshëm me administratën e presidentit Joe Biden, si dhe me përfaqësuesit e shtetit amerikan në Kosovë.
“SHBA-ja është aleati ynë strategjik dhe historik, ndaj të cilit kemi dëshmuar partneritet të besueshëm dhe të qëndrueshëm, së fundmi në rastin e strehimit të më shumë se 1.400 refugjatëve afganë. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë aq të posaçme e të thella sa e tejkalojnë një qëndrim apo një tjetër të Qeverisë”, theksoi Kryeziu.