Një vit nga fillimi i vaksinimit në Kosovës, sukses apo dështim?

Një vit nga fillimi i vaksinimit në Kosovës, sukses apo dështim?

Pasditja e 29 marsit të vitit 2021 në Kosovë ishte një ditë e veçantë, pasi filloi vaksinimi anti-COVID.



I pari që u vaksinua ishte Kryeministri i Kosovës Albin Kurti me vaksinën anti-COVID “AstraZeneca”.

Sot më 29 mars 2022, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në total brenda një viti kanë administruar 1 milionë e 820 mijë e 145 doza të vaksinave.

903 mijë e 942 persona janë të vaksinuar me një dozë, me dy doza janë vaksinuar 820 mijë e 146 persona janë ta vaksinuar me dozën e dytë.

99 mijë e 870 persona janë vaksinuar me dozën e tretë përforcuese, një numër i vogël në krahasim me dy dozat e para.

Ministria e Shëndetësisë sot ka njoftuar se janë shënuar vetëm 32 raste pozitive dhe nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes, ndërsa 36 janë shënuar. Momentalisht janë 593 raste aktive me COVID-19.

Gazeta Enigma ka kontaktuar me deputetin Bekim Haxhiu nga radhët e PDK-së i cili e quan dështim total procesin e vaksnimit në Kosovë nga Qeveria Kurti.

“Është dështim total procesi i vaksinimit në kohën kur qytetarët kanë shprehur interesim dhe kanë kërkuar të vaksinohen, ka pasur një mos-organizim, radhë të gjata të pritjes në kohën e pandemisë. Pastaj janë pranu donacione të vaksinave të shkurtë të skadimit në kundërshtim me ligjin për pajisje dhe produkte medicionale për pasoj kemi pas hudhjen në bërllog të 133 mijë e 234 vaksinave AstraZeneca të cilat kanë ardhur si pasoj e keq menaxhimit dhe paaftësisë”, thotë Haxhiu për Gazetën Enigma.

Haxhiu insiston se programi i vaksinimit nuk ka qenë në përputhje me kërkesat e qytetarëve.

“Një program i vaksinimit i cili nuk ka qenë në përputhje me kërkesat e qytetarëve, pasi kanë mundur të vaksinohem shumë ma shumë, kam thënë edhe atëherë që duhen 40 mijë deri 50 mijë vaksinime në ditë. Një kontratë me Pfizer e mbajtur sekret nga qeveria ka rritur edhe më shumë dyshimet te qytetarët për çështjet e vaksinimit dhe në fund kemi ardhur në një situatë ku numri i vaksinimeve në Kosovë është dyshifror”, vlerëson Haxhiu.

 Kurse, analisti politik, Gazmir Raci ka thënë se Qeveria Kurti ka arritur në një periudhë të shpejtë kohore t’i siguroj vaksinat e para anti-COVID.

“Qeveria Kurti erdhi në pushtet me zero vaksina dhe zero kontrata për furnizim dhe për një periudhë të shpejt kohore arriti të sjell vaksinat e para të kontraktuara dhe arriti poashtu që brenda një periudhe të vaksinojë mbi 50% të popullsisë së Kosovës. Natyrisht qe edhe donatorët evropian dhe amerikan e mbështeten Kosovën shumë në këtë drejtim”, ka thënë Raci.

Raci e konsideron si përparësi vaksinimin e mbi 50 % të popullsisë, kurse mangësi e konsideron mos hapjen e shumë qendrave për vaksinim.

“Përparësi konsiderohet vaksinimi i mbi 50% e popullsisë së Kosovës përderisa ballafaqimi me disa valë te Covid19 ka qene sfide e cila është shoqëruar me mangësi të madhe në menaxhim. Mangësi poashtu e konsideroj edhe mos hapjen e më shumë qendrave për vaksinim siç e bëri Shqipëria dhe disa vende të tjera që i hapen qendrat e vaksinimit edhe nëpër sheshe e edhe qendra tregtare apo vende ku frekuentohen në masë të madhe nga popullsia”, ka thënë ai.

Bujar Vitija, gazetar i cili mbulon sektorin e shëndetësisë ka thënë për Gazetën Enigma se vaksinimi kundër COVID-19 në Kosovë është i vetmi sukses i shënuar në dy vitet e fundit në sektorin e shëndetësisë.

“Konsideroj se vaksinimi kundër Covid-19 është i vetmi sukses i shënuar në dy vjetët e fundit në sektorin e shëndetësisë në Kosovë. Ndonëse kemi qenë vendi i fundit në rajon që kemi filluar vaksinimin, tani megjithatë qëndrojmë më mirë sesa rajoni sa i përket përqindjes së popullatës së imunizuar”, thotë Vitija për Gazetën Enigma.

Vitija thekson se është dashur të bëhej më shumë në këtë aspekt duke gjetur alternativa të tjera. Ai ka thënë se tani nevojitet edhe doza e tretë e vaksinimit për ta konsideruar sukses.

“Por gjithsesi se ka mundur të bëhet edhe më mirë, sikur të kishim pas një strategji më të fuqishme për vetëdijesimin e qytetarëve në lidhje me rëndësinë e vaksinimit. Tani nuk mund të shënojmë suksesin me vetëm dy doza, por nevojitet edhe doza e tretë. Në Kosovë deri më tani i kemi afër 100 mijë persona të vaksinuar me dozën e tretë dhe kjo është një shifër shumë e vogël”, thekson ai.

Ai thotë se rreziku nga COVID-19 ende nuk ka kaluar dhe duhet të ketë kujdes të madh.

“Rreziku nga Covid-19 ende nuk ka kaluar. OBSH vazhdimisht bën thirrje për kujdes sepse mund të shfaqet një situatë e re. Covid-19 është treguar shumë i paparashikueshëm dhe vazhdon të jetë i tillë. Andaj ne kemi nevojë për vetëdijesim më të madh të qytetarëve. MSH nuk duhet të lejojë që konspiracionet dhe lajmet e rreme të zënë vend”, thotë Vitija.

ÇFARË THONË NGA QEVERIA PËR NJË VJETORIN E VAKSNIMIT NË KOSOVË

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti në një përgjigje për Gazetën Enigma e ka cilësuar si storie suksesi procesin e vaksinimit në Kosovë.

“Storie e suksesit gjithsesi, marrë parasysh se Kosova filloi e fundit dhe fillimisht kishte mungesë vaksinash, por me punë intensive u arrit rezultati më I mirë në rajon”, ka thënë fillimisht Hoti.

Hoti thotë se Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë më të mirën në çështjen e menaxhiimt për vaksinimin anti-COVID.

“Ministria ka nxjerrë më të mirën në këtë process shumë sfidues dhe në luftë me virusin dhe kohën gjithashtu”, ka përfunduar ai.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Kosova u bë shteti i parë në rajon me 1 milionë e 820 mijë doza të administruara duke u krahasuar me disa shtete të Europës.

“Kur Lëvizja VETËVENDOSJE! erdhi në qeverisje kishte zero vaksina. Nuk kishte as marrëveshje dhe as kontratë për sigurimin e tyre. Falë punës dhe përkushtimit të lartë të qeverisjes tonë, ish-ministrit, Arben Vitia, në kohë rekorde negociuam suksesshëm një kontratë të favorshme për sigurimin e vaksinave.  Kështu, nga të qenit shteti i fundit në rajon për shkallën e vaksinimit kaluam në situatën ku tash jemi shteti i parë në rajon me 1,820,000 doza të administruara, duke u krahasuar me disa shtete të Evropës.”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes./GAZETA ENIGMA/

Related Articles