Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari Olaf Scholz dhe presidentja Italiane Giorgia Meloni kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët pas takimit që kanë mbajtur të enjten në Bruksel me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksander Vucic.
Në komunikatë thonë se mirëpresin angazhimin e të dy palëve në diskutime e djeshme dhe se i marrin parasysh komentet e të dy liderëve për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe gatishmërinë e tyre të shprehur për të zbatuar.
Në këtë qëndrim të përbashkët thuhet se draft-statuti i paraqitur është brenda parametrave të caktuara nga palët.
“Draft statuti që ne paraqitëm dhe miratojmë plotësisht përfshin një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuar nga palët”, thuhet në komunikatë.
Tutje thonë se presin nga palët përmbushjen e angazhimeve për zbatimin e Marrëveshjes për Normalizim. Në reagim theksojnë se faza e zbatimit duhet të përparojë me të dyja palët që përmbushin detyrime te tyre përkatëse paralelisht dhe hap pas hapi, bazuar në parimin që të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka.
“Prandaj, ne nënvizojmë edhe një herë pritshmërinë tonë që palët të përmbushin angazhimet e tyre për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit. Faza e zbatimit duhet të përparojë me të dyja Palët që të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse paralelisht në mënyrë hap pas hapi bazuar në parimin që të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka. Fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa”, thekson reagimi.
Macron, Scholz dhe Meloni në këtë qëndrim të përbashkët kanë thënë se për të arritur progres të shpejtë në zbatim, i bëjnë thirrje Kosovës që të nis procedurën e themelimit të Asociacionit si në draft-statut dhe gjithashtu i bëjnë thirrje Serbisë që të bëjë njohjen de-facto.
“Për të arritur progres të shpejtë në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë siç është përshkruar në draft Statut dhe Serbisë që të bëjë njohjen de-facto. Formalitetet, duke përfshirë edhe birësimin, nuk duhet të pengojnë përparimin në këtë çështje”, thuhet në komunikatë.
Në fund kanë thënë se në mungesë të përparimit, palët rrezikojnë të humbin shumë.
“Tani presim që Kosova dhe Serbia të bien dakord shpejt për detajet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në mungesë të progresit në normalizimin e marrëdhënieve, të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme”, përfundon komunikata.