Raportuesja për Kosovën në Bashkimin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk e ka pritur mirë deklaratën dhe arsyetimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, për mosnënshkrimin e aneksit të zbatimit të planit evropian për dialogun.
Ajo ka thënë se është për të ardhur keq ta dëgjosh dikë duke folur si Vuçiqi në atë formë.
“Ne i ndoqëm me vëmendje deklaratat e tij para marrëveshjes, të cilat ishin shumë të lavdërueshme, sepse hapën rrugën për arritjen e marrëveshjes”.
“Megjithatë, retorika në fund të fundit dhe tallja me “dhimbje torturuese në dorën e djathtë” u prit shumë keq si në Bruksel, ashtu edhe në kryeqytetet kyçe të BE-së”, ka thënë Von Cramon.
Pos tjerash, Cramon është shprehur se nuk i takon Serbisë që të vendos nëse Kosova mund të hyjë në organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“E kuptoj që deklaratat e Vuçiq janë për audiencën e brendshme, por në fund të fundit nuk është në dorën e Serbisë, sepse pranimi në OKB, varet nga vendimi i Këshillit të Sigurimit”, ka thënë Von Cramon për mediumin serb Nova.