Deklarimet e Listës Serbe për rrëzimin e Qeverisë – A do t’i prijë fati Kurtit të qëndrojë në pushtet?

Deklarimet e Listës Serbe për rrëzimin e Qeverisë – A do t’i prijë fati Kurtit të qëndrojë në pushtet?

Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe tha se dëshiron që ta rrëzojë nga pushteti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Përmes një njoftimi për media, kjo parti tha se Qeveria Kurti po punon kundër interesave të popullit serb.

“Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, që është në interes të të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona”, tha kjo parti.

Ndryshe, reagimet e fundit të Listës Serbe vijnë pas deklaratave të bëra nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Sveçla deklaroi më 2 gusht se Lista Serbe është e “devalvuar politikisht” dhe tha se në ekzekutiv nuk ka as vullnet për të bashkëpunuar me këtë parti, pasi sipas tij ajo bashkëpunon me grupe kriminale.

Lidhur me këto deklarata nga Lista Serbe, Gazeta Enigma ka kontaktuar me njohësin e çështjeve politike, Blerim Latifi.

Latifi deklaroi se kjo deklaratë buron nga mllefi si shkak i zhvillimeve të fundit në veri.

“Është më shumë dëshirë e tyre, që buron nga mllefi për zhvillimet e fundit në veri, e fare pak, për të mos thënë aspak, mundësi reale që Lista Serbe ta rrëzoj qeverinë e Kurtit. Arsyeja për këtë qëndron në faktin se partitë shqiptare nuk do ta përkrahin këtë nismë, sepse e dijnë se nëse qeveria Kurti rrëzohet nga Lista Serbe me ndihmën e tyre, atëherë kjo mund të rris edhe më shumë perkrahjen elektorale për Kurtin”, u shpreh Latifi.

“Vetëm nëse ndodhë ndonjë çarje e madhe brenda shumicës parlamentare ekzistuese, atëherë mund të flasim për kombinatorika parlamentare që mund t’ia humbin Kurtit shumicën në Kuvend dhe më pas ta perballin me një mocion mosbesimi”, përfundoi Latifi.

Ndërsa, analisti Shemsi Jashari tha për Gazetën Enigma se këto deklarata janë të nxituara si shkak i aksioneve të fundit në Veri, gjithashtu theksoi se partitë shqipëtare duhet të jenë bashkë.

“Deklarimet e Listës Sërbe se duan ta rrezojnë Qeverinë Kurti, janë deklarata të nxituara nga aksionet e fundit të zhvilluara në Veri, dhe si të tilla pa ndonjë peshë përcaktuese. Duke u nisur nga motivi pse “Lista Serbe” është deklaruar se do ta rrëzoj qeverinë e z.Kurti II, mendoj se nuk duhet të gjejë mbështetje nga partitë opozitare, pasi kur flasim për qështjën e veriut dhe raportet me Serbinë partitë shqipëtare janë në një qendrim dhe duhet të jenë bashkë”, tha Jashari.

Jashari tha se qëllimet e opozitës për rrëzimin e Kurtit nuk duhet të jenë në të njejtën kohë me Listën Serbe sepse do të duket si shërbim ndaj Listës Serbe.

“Pavaraisht qëllimeve dhe arsyeve tē opozitës shqipëtare për rrëzimin e z.Kurti, iniciativat nuk duhet të koincidojnë në të njejtën kohë me Listën Sërbe pasi do të reflektone se i bëjnë shërbim asaj. Qeveria Kurti mund të rrëzohet për çdo arsye tjetër përveç çështjes së veriut dhe iniciativës sē Listës Serbe”, u shpreh Jashari.

Mes tjerash, Jashari theksoi se Lista Serbe nuk mund ta rrëzojë Qeverinë.

“Si e vetme Lista Sërbe nuk mund ta rrëzoj qeverinë, e as ta kushtëzoj me numrat që i ka dhe partit shqiptare nuk duhet ta faktorizojnë atë, pasi ajo nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe punon pa ndërprerë kundër shtetësisë sonë”, përfundoi Jashari.

Ndryshe, Lista Serbe përfaqësohet në Qeverinë e Kosovës me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq, ndërkaq po ashtu ka dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës./ GazetaEnigma/.

Related Articles