Policia ka dhënë detaje rreth rastit të dyshimit për keqtrajtim të një fëmije trevjeçar në një çerdhe në Fushë Kosovë.
Nga autoritetet e rendit bën të ditur se kanë filluar hetim preliminar për çështjen në fjalë, duke shtuar se po shqyrtohet raportet mjekësore dhe pamjet e publikuara.
Policia ka deklaruar se po koordinohen me prokurorin e shtetit dhe po punojnë me agjencitë për mbrojtjen e fëmijëve dhe autoritet e tjera përkatëse.
“Ndonëse e kuptojmë interesin e publikut për çështjen, si dhe shqetësimin e komunitetit e veçmas prindërve dhe kujdestarëve, ne duhet të jemi të vëmendshëm për të balancuar nevojën për transparencë me nevojën për të mbrojtur integritetin e hetimit”, deklarojnë nga policia.
“Për ne siguria dhe mirëqenia e fëmijëve është ndër prioritetet kryesore por njëkohësisht jemi të përkushtuar për të kryer një hetim profesional dhe të paanshëm, për të zbardhur të vërtetën dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura bazuar në gjetjet e hetimit”, thuhet në njoftim.