Prokuroria Themelore e Gjakovës, është deklaruar për rastin tragjik të të riut i cili dyshohet se vdiq si pasojë e lëndimeve të marra në vendin e punës, në një fabrikë të tullave.
Organi i akuzës në një përgjigje thotë se hetimet lidhur me rastin kanë nisur.
Tutje, prokuroria thotë se trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Lidhur me rastin në fjalë, jemi njoftuar nga Policia e Kosovës dhe në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar, të gjitha njësit përkatëse të Policisë së Kosovës dhe inspektori i punës. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML). Prokurori i Shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Gjakovës.
Ceremonia e varrimit për të riun do të bëhet sot me fillim nga ora 16:00 në varrezat e qytetit të Gjakovës.