Delegacioni i Kosovës diskuton në Bruksel për planin 6 miliardësh të BE-së: Do t’i bëjmë reformat për të përfituar

Delegacioni i Kosovës diskuton në Bruksel për planin 6 miliardësh të BE-së: Do t’i bëjmë reformat për të përfituar

Delegacioni i Kosovës u takua me përfaqësues të Komisionit Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ky plan kap shifrën prej 6 miliardë eurove në formë të granteve dhe kredive për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore: rritjen e integrimit ekonomik me Tregun e Bashkimit Evropian, rritjen e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal, përshpejtimin e reformave themelore dhe rritjen e ndihmës financiare.

Sot në takim me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me delegacionin, diskutuan rreth reformave që Qeveria do t’i ndërmarrë në kuadër të agjendës së saj të reformave, e cila do të shërbejë si parakusht për përfitimin e fondeve nga plani i rritjes.

“Këto reforma do të jenë pjesë e disa shtyllave prioritare duke përfshirë: administratën publike, zhvillimin e sektorit privat dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit, energjinë dhe tranzicionin e gjelbër, kapitalin njerëzor dhe sundimin e ligjit.   Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të ndërmarrë veprimet e nevojshme në përmbushjen e këtyre reformave, me qëllim të përfitimit maksimal nga ky plan”, thuhet në njoftim.

Delegacioni i Kosovës përbëhej dhe nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Related Articles