Edurad Ibrahimi është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik prej 22 vite burgim i akuzuar se në 2020-ën e ka privuar nga jeta të miturin, tani të ndjerin L.B.
Aktgjykimi në fjalë u shpall këtë të martë, nga kryetarja e trupit gjykues gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ibrahimi po akuzohet se më 12 mars 2020 e ka privuar nga jeta të miturin, tani të ndjerin L.B., dhe me atë rast me dashje ka vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve R.G. dhe B.S.
Ndërsa, Përparim Ibrahimi po akuzohet se e kishte ndihmuar të akuzuarin Eduard Ibrahimin për të fshehur armën me të cilën ky i fundit e kishte privuar nga jeta të ndjerin L.B. Kurse, Lirim Begolli po akuzohet se pasi dy të akuzuarit Ibrahimi dhe Matoshi kishin kryer veprën penale, i njëjti i kishte strehuar në shtëpinë e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, i akuzuari Egzon Matoshi në seancën e 20 majit 2021, e kishte pranuar fajësinë që e kishte ndihmuar të akuzuarin Eduard Ibrahimi që të kryejë vrasjen.
Fillimisht ndaj Ibrahimi për veprën penale “Vrasje e rëndë” u shqiptua dënim me burgim prej 21 vitesh ndërsa për armëmbajtje atij iu shqiptua dënimi më 1 vit e 6 muaj burgim.
Ndërsa dënimi unik për këto vepra u shqiptua me 22 vite burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.
I akuzuari Egzon Matoshi për veprën penale të dhënies së ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale u dënua me 2 vite burgim e po ashtu koha e kaluar në paraburgim i llogaritet në dënimin e shqiptuar.
Për të njëjtën vepër penale i akuzuari Përparim Ibrahimi u dënua me 3 vite burgim në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim ndërsa për armë mbajtje pa leje ai u dënua me 1 mijë euro gjobë.
I akuzuari Lirim Begolli për veprën penale të dhënies së ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale u dënua me 2 vite e 6 muaj burgim dhe të njëjtit koha e kaluar në paraburgim do ti llogaritet në dënimin e shqiptuar.
Deri tek ky vendim gjykatësja Hasaj-Hyseni tha se gjykata i ka marrë për bazë të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese.
I akuzuar Eduard Ibrahimi obligohet që në emër të paushallit gjyqësorë të paguajnë shumën prej 200 euro.
Ndërsa të akuzuarit Përparim Ibrahimi, Matoshi dhe Begolli për paushallin gjyqësorë do të paguajnë shumën nga 100 euro.
Po ashtu, të gjithë të akuzuarit për fondin e kompensimit të viktimave të krimit do të paguajnë secili veç e veç shumën prej 50 euro.