Me provokimet e Rusisë që bëhen gjithnjë e më të shpeshta në qiellin e NATO-s, frika në tokë për një Luftë të Tretë Botërore ka pushtuar thuajse shumicën e europianëve, veçanërisht në vendet e Baltikut dhe të kahut lindor të aleancës, të cilët që nga shkurti i vitit 2022 kanë ndjerë nga larg aromën e barutit.
Ukraina mbetet çelësi i sigurisë për mbarë kontinentin e vjetër, por rezistenca kohët e fundit është zbehur pasi SHBA-të kanë pakësuar ndihmën ushtarake dhe financiare për Kievin.
Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko i ftuar në Rretheqark deklaroi se Rusia tashme prej kohësh po provokon BE, SHBA dhe NATO dhe se do të jetë e lumtur që të ndezë zjarret dhe në Ballkan përmes aleatit të saj Serbisë.
“Disa mendojnë që ne jemi në Luftën e Tretë dhe unë jam një prej tyre. Nëse do të ketë një zgjerim të luftës pasi Rusia po provokon NATO, BE dhe SHBA. Kundërpërgjigja është e vakët dhe nuk është vetëm për vendet baltike. Rusia kërkon të verë zjarrin dhe në Ballkan, ajo ka ndikim te Serbia dhe do të jetë e lumtur që dhe Ballkani të marrë zjarr. Dhe jam i bindur që roli i tyre ka qenë i madh edhe në fillimin e luftës në Lindjen e Mesme”, u shpreh deputeti Oleksiy Goncharenko.