Deputetja e deritanishme e Vetëvendosjes, Drita Millaku ka aderuar në LDK, raporton Gazeta Enigma.
Millaku është ardhja e re në LDK, pas Doarsa Kica-Xhelilit që kishte braktisur partinë e Kurtit për të qëndruar në opozitë me LDK-në.
“Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Drita Millaku, nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo i bashkohet familjes sonë politike në rrugëtimin e përbashkët që na pret përpara. Ky vendim i saj për të qenë pjesë e radhëve tona është jo vetëm një dëshmi e përkushtimit të saj politik, por gjithashtu një tregues i qartë se vizioni dhe programin i LDK-së për Republikën, është i duhuri sot.Si një figurë e respektuar në Prizren dhe një deputete e mandatuar për dy herë, ajo na vjen si aset i rëndësishëm partiak, dhe si kuadër për programin tonë politik dhe të ardhmen e vendit tonë. Me Dritën kemi diskutuar gjatë për vizionin tonë të përbashkët për Republikën; për arsimin në veçanti, për programin tonë politik dhe të ardhmen e vendit tonë”, njoftoi kryetari i LDK-së, Abdixhiku.
Kujtojmë se Millaku nuk është deputetja e vetme e larguar nga LVV-ja. Para saj nga kjo parti dolën deputeti Eman Rrahmani dhe Visar Korenica. / Gazeta Enigma.