Dërgimi i ligjeve në Kushtetuese nga PDK-ja, fushatë apo kërkesë reale për drejtësi?

Dërgimi i ligjeve në Kushtetuese nga PDK-ja, fushatë apo kërkesë reale për drejtësi?

Partia në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), shpesh ka vizituar dyert e Gjykatës Kushtetuese muajt e fundit, shkruan Gazeta Enigma.

E një vizitë të tillë e realizoi edhe këtë të premte kur dërgoi në Gjykatën Kushtetuese 16 ligje që u miratuan nga mazhoranca e Lëvizjes Vetëvendosje, në seancën që filloi pasditen e 5 dhejtorit e përfundoi në orët e mesnatës.

Në “Seancën e natës”, të mbajtur me datën 5 të dhjetorit, deputetët e LVV-së miratuan 20 projektigje, ku pati kërkesë të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për shmangie të afateve të caktuara për të miratuar në shqyrtim të dytë një sërë projektligjesh.

Një nga projektligjet që u miratua në lexim të parë e në lexim të dytë po atë ditë, është Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Paluajtshme.

Për këtë ligj, deputeti i Partisë Demokratike, Abelard Tahiri, tha se është i vetmi nga 16 ligjet e dërguara i cili sipas tij, ka parregullsi edhe në procedurë, edhe në përmbajtje, pasi sipas tij, “në përmbajtje është pothuajse i njëjti që e ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese, dhe ne normalisht që nuk mund të bëjmë kompromis me një çështje të tillë dhe atë e dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese”.

Për 15 ligjet e tjera, Tahiri tha se u dërguan në Kushtetuese vetëm për parregullsi në procedurë.

“Prej 16 projektligjeve, 15 prej tyre kontestohen vetëm nëprocedurë, ndërsa një prej tyre kontestohet edhe në procedurë, edhe në përmbajtje. Unë nuk mundem me besu se si Kryetari i Kuvendit e dhunon rregulloren e Kuvendit, duke pasur afër edhe sekretarin e Kuvendit, administratën dhe zyrën ligjore. Ligji qëështë i kontestuar në këtë rast, edhe në procedurë, edhe nëpërmbajtje, është ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Paluajtshme”, tha Tahiri sot në një konferencë për media.

Shefi i grupit paralamentar të PDK-së, për këtë procedurë të përshpejtuar të miratimit të ligjeve, kritikoi ashpër kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufcën, si dhe minsitren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun.

“Duke e pasur parasysh që rregullorja e Kuvendit e ndalon miratimin e një ligji në lexim të parë dhe të dytë brenda një dite, e kam të vështirë me besu që një gjë e tillë mos me u ditë edhe nga Kryetari i Kuvendit, edhe nga ministrja e Drejtësisë. Ministrja e Drejtësisë mbi të gjitha duhet ta mbrojë ligjshmërinë, rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetueshmërin e Kuvendit. Me miratu me vetëdije një ligj të tillë, “kaq të rëndësishëm” sipas tyre, në të dyja leximet brenda dite, ku rregullorja e Kuvendit e ndalon, pra duket qartë që më së paku kanë qenë të interesuar ta miratojnë një projektligj të tillë”, u shpreh Tahiri.

Përveç procedurës së shpejtë, Tahiri tha se për tri seancat të asaj dite, deputetëtë e opozitës janë ftuar me vonesë, pasi që veç se kishte filluar seanca.

“Për sencën e cila është ftuar në ora 14:40, ne jemi njoftuar në ora 15:01. Pra 21 minuta me vonesë, ne jemi ftuar për seancën e cila veç se ka filluar. Si mundemi me marrë pjesë, kur rregullorja e Kuvendit e thotë qartë se deputetët duhet të njoftohen 48 orë më herët. Pastaj në seancën e radhës, e cila është caktuar që të mbahet në 19:30, ne jemi ftuar në 19:31. Pastaj në seancën e radhës në ora 20:10, ne jemi informuar në ora 20:08. Dhe e fundit, në seancën e caktuar për në ora 22:30, ne jemi ftuar në ora 22:42”, shtoi tutje deputeti Tahiri.

“Pra është një shkelje flagrante e rregullores, dhe një pamundësi me marrë pjesë në këto seanca, për deputetët nga radhët e opozitës. E them me përgjegjësi të plotë, se kjo ditë parlamentare, e shënon një rekord të zi parlamentar në Kuvendin tonë”, deklaroi tutje Tahiri.

Ministrja Haxhiu akuzon PDK-në se i frikësohen Ligjit për Byronë

Pas deklaratave të Tahirit, i shpejtë ishte reagimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo tha se kjo tregon më së miri “frikën e tyre të thellë ndaj këtij ligji, i cili rrezikon të prekë rrënjët e korrupsionit që ata vetë kanë kultivuar ndër vite”.

“Me këtë veprim, është e qartë se angazhimi i tyre politik nuk ka më të bëjë me aspirata apo vizione për të ardhmen, por thjesht me një përpjekje të dëshpëruar për të mbrojtur pasurinë kolosale të fituar padrejtësisht në të kaluarën”, shkroi Haxhiu në njëpostim në Facebook.

E para e Drejtësisë tha se kjo është “lufta e tyre për të mbajtur atë që kanë grabitur në kurriz të qytetarëve”.

“9 shkurti do të jetë dita ku sërish do të ballafaqohen interesat e tyre të ngushta përballë vullnetit popullor për qeverisje të drejtë, dhe luftë ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. Pra siç kemi thënë: ju edhe mund të na vononi, por kurrë nuk do ta ndalni vullnetin e popullit për drejtësi. Byroja do të bëhet. Pasuria do t’i kthehet shtetit dhe qytetarëve. Drejtësia do të mbizotërojë!”, u shpreh Haxhiu.

Dërgimi i këtyre ligjeve në Kushtetuese fushatë elektorale e PDK-së?

Juristi në Instiutin CLARD, Anton Nrecaj, tha për Gazetën Enigma se dërgimi i të gjithë këtyre ligjeve nga ana e PDK-së, mund të konsiderohet si një fushatë e tyre elektorale, kur jemi nëprag të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Çështja është se a po shfrytëzohet kjo vërtetë në aspektin e fuqizim të drejtësisë dhe mbrojtjen e Kushtetueshmërisë dhe ndalimin e ligjeve që bien ndesh me Kushtetutën, apo thjesht për përfitime politike meqenëse jemi në fushatën paraelektorale në nivel vendi? Nëse është bërë vetëm sa për t’i bllokuar për një periudhë të caktuar këto ligje, atëherë kjo i bie që vërtetë është bërë vetëm sa për të shfrytëzuar fushatën elektorale dhe për të përfituar pikë politike në fushatën parazgjedhore”, tha Nrecaj për “Enigmën”.

Njohësi i drejtësisë tha se votimi i projektligjeve në orët e vona nuk është diçka e re, pasi që e njëjta ka ndodhur edhe në legjislaturat e kaluara, por se ato nuk janë kontestuar në Gjykatë Kushtetuese.

“Nëse i referohemi në mënyrën se si i kanë votuar, realisht kjo nuk është risi, sepse “Kuvende të natës” ka pasur edhe në legjislatura të mahershme, por që e njëjta gjë nuk është shfrytëzuar dhe ato ligje nuk janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Por sido që të jetë, Gjykata Kushtetuese është ajo që do të konstatojë kërkesën e Partisë Demokratike, si të pranueshme apo jo. Kjo është faza e parë, pastaj nëse kërkesa është e pranueshme, të gjitha ligjet që janë dërguar, Kushtetuesja do të duhej t’i shqyrtojë dhe në fund të nxjerrë një vendim nëse vërtetë ato ligje janë në kundërshtim me Kushtetutën”, u shpreh Nrecaj.

Tutje Nrecaj tha se nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se këto ligje nuk i janë nënshtruar procedurave dhe rregulloreve të Kuvendit siç duhet, atëherë sigurisht se do të ketë rrëzim të tyre.

“Kuvendi e ka rregulloren e vetë. Nëse kjo rregullore është thyer, ai ligj normal që nuk do të kalojë në Gjykatën Kushtetuese. Sepse duhet ta ketë leximin e parë, duhet të jepen komentet, vërejtjet, sugjerimet, dhe sponzorizuesi i atij ligji do të duhej që në Kuvend ta argumentojë gjitha dispozitat dhe mënyrën se si do të duhej të impelementohej ai ligj. Kjo në fakt nuk ka ndodhur, sepse deputetët e opozitës kanë qenë jashtë Kuvendit. Nga ana tjetër, një ligj i cili nuk i ka komentet dhe nuk është diskutuar nen për nen, atëherë natyrisht se ai ligj do të duhej të kthehej në Kuvend”, deklaroi juristi Nrecaj.

Cilat ligje tjera u dërguan në Kushtetuese?

Abelard Tahiri tregoi se 15 ligjet tjera që u dërguan në Kushtetuese për “shkelje procedurale” janë si vijon:

– Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim

– Ligji për Bankat

– Ligji për Inspektoriatin Qendror për Mbikëqyrjen e Tregut

– Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit

– Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ProkurorinëSpeciale

– Ligji për Shërbimet e Pagesave

– Ligji për Provimin e Maturës Shtetërore

– Ligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

– Ligji për Gjykatën Administrative

– Ligji për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore

– Ligji për Inspektoriatin Qendor të Ujërave të Natyrës, Ndërtimit, si dhe për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bëthamore

– Ligji për Inspektoriatin Qendror të Trashëgëmisë Kulturore

– Ligji Kundër Dukurive Negative në Sport

– Ligji për Banim Social të Përballueshëm

– Ligji për Sigurim të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor /GAZETA ENIGMA

Related Articles