22 vjet pas luftës, një burrë ka marrë guximin të tregojë tmerrin që ka përjetuar kur është dhunuar seksualisht nga policët serb.
Ai ka treguar se si i njejti polic e ka maltretuar për 21 ditë, teksa në ditën e parafundit të torturës ia ka dëmtuar organin gjenital me një bajonetë.
“Dhunën e ka bërë i njëjti polic, punët i kanë pasur të ndara që prej bodrumit ku kanë qëndruar komandantët e policisë, ka qenë mbi neve. Maltretime me shkopinj, janë bërë brenda objektit ku kam qëndruar unë. Maltretimet më të mëdha janë bërë 50 metra nga objekti ku kam qëndruar, i njëjti polic me uniformë të zezë dhe kapelën e zezë, vetëm sytë i janë parë dhe kanë qëndruar në atë kafenenë ‘Te Goga’. Unë maltretime ma të veçanta prej këtyre e kam pak para ditës së fundit kur me bajonetë ma kanë dëmtuar organin gjenital, zorrën e trashë dhe këmbën e majtë.”
Ai ka rrëfyer se në objektin ku është maltretuar janë vrarë edhe dy të rinjë të tjerë.
“Prej ditës së parë deri në ditën e fundit, me fillu me rend prej vendit ku kam qëndruar në bodrum dhe deri te vendi ku i bëjshin maltretimet me thikë ka qenë larg 50 metra. Aty kam parë duke i rrahë, emra të grave, meshkujve. Kur i kanë mbytur dy të rinj i kam parë, ka mund të jetë gjashtë ose shtatë maji atë ditë kur është bërë therja e të dyve. I njëjti polic që i bënte maltretimet e mia i ka mbytur edhe ata dy vetë. Personi që na ka bartur ka qenë rom”, është shprehur ai, gjatë një interviste për ATV.