Dështon gjykimi ndaj ish-kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj dhe të tjerëve

Dështon gjykimi ndaj ish-kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj dhe të tjerëve

Për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Hasani, avokati Ymer Huruglica ishte i angazhuar në një rast tjetër, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj ish-kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj dhe të tjerëve.



Një gjë të tillë e bëri të ditur për “Betimi për Drejtësi”, gjykatësi i rastit, Vesel Ismaili.

“Për shkak se avokati Huruglica është në një rast tjetër, sot dhe nesër nuk do të mbahet gjykimi” tha gjykatësi Veseli.

Në këtë rast, për korrupsion për shkak të shpronësimeve dhe shpalljes së “Zonës ekonomike” të Malishevës po akuzohen ish-kryetari i Malishevës, Ragip Begaj bashkë me ish-ministrin Bajram Hasani e zëvendësministrin Faton Thaqi. Pjesë e aktakuzës për korrupsion janë edhe Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi.

Ndërsa, Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje parave” dhe Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 1 korrik 2021, Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje e parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.

Ata po ngarkohen se duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tyre zyrtar, kanë krijuar Zonën Ekonomike në Malishevë, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik me qëllim të shpronësimit të tokave të blera me çmim të ulët, me një çmim shumë më të lartë.

Related Articles