Për shkak të mungesës së përfaqësuesve të Kuvendit të Kosovës dhe të Policisë së Kosovës, ka dështuar të mbahet seanca në rastin e ish-deputetëve Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala.
Të dy këta po akuzohen se kishin hedhur gaz lotsjellës në një seancë të Kuvendit të mbajtur më 30 nëntor 2015, si dhe kishin penguar Policinë gjatë kohës kur kjo e fundit po mundohej të shoqëronte në Polici, Albin Kurtin, cili atë kohë kishte qenë deputet.
Për shkak të këtyre veprimeve të të akuzuarve, deputetët dhe stafi administrativ i Kuvendit si dhe pjesëtarët e Policisë, në aktakuzën e prokurorisë konsiderohen si palë të dëmtuara.
Seanca e radhës që ishte paraparë të mbahej për këtë rast të premten, ka dështuar pasi që gjykatësi Eroll Gashi tha se përfaqësuesi i autorizuar nga Kuvendi i Kosovës nuk është prezent në seancë.
Gjithashtu, ai njoftoi se mungon edhe përfaqësuesi i autorizuar nga Policia i cili kishte qenë prezent në seancën e kaluar.
Në fjalën e tij, prokurori Menduhi Kastrati tha se me hedhjen e gazit lotsjellës janë dëmtuar deputetët dhe stafi administrativ e po ashtu sipas tij është penguar puna e Kuvendit.
Për këtë arsye, ai tha se Kuvendi i plotëson atributet e palës së dëmtuar ndërsa e sa i përket Policisë, prokurori tha se në këtë rast nuk konsiderohen si palë e dëmtuar.
Një deklarim të tillë, prokurori e bëri edhe pse në aktakuzë, Policia e Kosovës janë cilësuar si palë e dëmtuar.
“Me këtë rast konsiderojmë se Kuvendi i plotëson atributet si palë e dëmtuar. Sa i përket Policisë së Kosovës konsiderojmë se të njëjtit përballen me situata ku ballafaqohen me pengim në kryerjen e detyrës zyrtare megjithatë jo-domosdoshmërisht Policia është palë e dëmtuar andaj Policia në këtë rast nuk konsiderohet si palë e dëmtuar”, tha prokurori Kastrati.
Pretendimet e prokurorisë për palë të dëmtuar në këtë rast, i kundërshtoi mbrojtësja e të akuzuarit Kurteshi, avokatja Teuta Zhinipotoku.
Ajo tha se si mbrojtje, konsiderojnë se nuk ka palë të dëmtuar në këtë çështje sepse sipas saj, prokuroria nuk ka treguar se në çfarë mënyre dhe cilët deputet janë dëmtuar.
“Ne si mbrojtje konsiderojmë se palë te dëmtuar nuk kemi në ketë çështje gjyqësore sepse prokurori është dasht me tregu se në çfarë mënyre Kuvendi Kosovës apo deputet që janë të dëmtuar, cilët janë personat që kanë pësuar dëmtime, çfarë dëmtime kanë pësu”, ka thënë avokatja Zhinipotoku, raporton “Betimi për Drejtësi”.