Mbrëmë në Hungari ka ndodhur një aksident trafiku ku për pasojë, dy të rinj kosovarë kanë humbur jetën.
Viktimat janë Kushtrim Hoxha dhe Jetmir Rexhepi.
Axha u Kushtrimit, Bashkimi ka dhënë detaje nga rasti, për KlanKosovën.
Ai ka treguar se vetura në të cilën gjendeshin tashmë dy viktimat, si pasojë e aksidentit ka marrë flakë me ç’rast Jetmiri, i cili ishte dhëndri i Kushtrimit, është djegur bashkë me dokumentet e tij, kurse Kushtrimi ka vdekur gjatë rrugës për në spital.
Kushtrimi pas vetes ka lënë një vajzë katër muajshe, kurse Jetmir një djalë 1-vjeç.
Bashkimi tha se kufomat janë ende në Hungari, dhe se nuk ka shumë informacione se si ka ndodhur aksidenti.
Ai tha se Kushtrimi dhe Jetmiri kanë qenë duke ardhur në Kosovë në kohën kur ka ndodhur aksidenti, ndërsa në Kosovë ka qenë duke i pritur djali i tij (i Bashkimit), bashkë me një grup studentësh nga Gjermania, për të bërë shëtitje nëpër vende historike në Shqipëri e Kosovë.
Bashkimi ka bërë edhe një postim në Facebook, ku ka njoftuar mbi aksidentin.
“Një ditë të gjithë do të kthehemi te krijuesi ynë! Të dashur familjarë, farefis e ju miq të nderuar. Më bëhet zemra copash teksa po i shkruaj këta rreshta, për ta ndarë me ju lajmin e keq se djali i vetëm i vëllait tim Kushtrim (Kujtim) Hoxha dhe bashkëshorti i motrës së tij, Jetmir (Naser) Rexhepi, kanë ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti të rëndë automolibilistik. U ndanë nga jeta dy djem të mbarë, të edukuar dhe prindër të rinjë. Zoti i mëshiroftë mes lulesh të xhenetit, inshaAllah. Për varrimin do t’i informojmë me kohë”, shkroi Bashkimi në Facebook.