Detaje rreth liberalizimit të vizave për Kosovën

Detaje rreth liberalizimit të vizave për Kosovën

Më shumë se një dekadë populli i Kosovës ka qenë i ‘privuar’ nga lëvizja e lirë, e të vetmit të izoluar në Ballkan, vazhdimisht duke u ballafaquar me maltretime të shumta nëpër ambasada, e refuzime të shpeshta për tu pajisur me një vizë, por që edhe kësaj i erdhi fundi, qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza nga janari i vitit 2024, raporton Gazeta Enigma.

Sot më 18 prill Parlamenti Evropian ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Zëdhënësi i PE-së, Janne Ojamo tregoi për Enigmën se kur qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza.

“Aktualisht varet nga koha kur sistemi i ri i autorizimit të udhëtimit ETIAS do të fillojë të funksionojë. Kjo duhet të ndodhë në vjeshtën e vitit 2023, por nëse ETIAS vonohet, liberalizimi i vizave ndodh më 1 janar 2024 pavarësisht”, ka thënë ai.

Reagimet nga ndërkombëtarët e nga krerët politik të Republikës së Kosovës ishin të menjëhershme.

Presidentja e vendit Vjosa Osmani, tha se kjo nuk është vetëm fitore për vendin tonë, por është fitore për demokracinë.

“Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme. Tanimë, lëvizja në shtetet evropiane është më e lehtë, familjet tona janë më afër dhe mundësitë për avancim e bashkëpunim më të mëdha”, u shpreh Osmani.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, potencoi se heqja e vizave na sjell një hap më pranë Bashkimit Evropian,.

“Lajm i mirë për Kosovën sot! Parlamenti Evropian miratoi udhëtimin pa viza për qytetarët tanë duke filluar nga 1 janari 2024. Kjo na sjell një hap të rëndësishëm më pranë Bashkimit Evropian dhe duke kontribuar në pasurinë që ofron BE. Faleminderit eurodeputetëve për mbështetjen e tyre”, shkroi Kurti.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se më në fund qytetarët kosovarë do të udhëtojnë lirisht nëpër Evropë nga viti 2024.

“Lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës nga Parlamenti Evropian. Urime për liberalizimin e vizave të shumëpritur dhe shumë të merituar që do t’ju lejojë të udhëtoni më në fund lirisht nëpër Evropë që nga viti 2024! Gëzuar lirinë e lëvizjes!”, shkroi Von Cramon.

Rreth ngjarjes së fundit reagoi edhe ambasadori francez Olivier Guerot, i cili theksoi se presidenti Macron është pajtuar verën e kaluar lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Shumë mirë për popullin e Republikës së Kosovës. Pikërisht në bazë të masave të marra nga Qeveria e Kosovës, presidenti Macron u pajtua për liberalizimin e vizave verën e kaluar”, potencoi Guerot.

Por, nga ky lajm pati edhe persona të cilët u shprehën të hidhëruar, kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane të PE-së, Elvira Kovaç, tha se Kosova po shpërblehet e Serbia po ndëshkohet.

Ajo ka thënë se kosovarët do t’i nënshtrohen sistemit të sigurisë që do t’i ndalojë udhëtimi personat që përbëjnë rrezik potencial për sigurinë.

“Është një sistem që do të kryejë kontrollin e pasagjerëve përpara udhëtimit dhe do të lejojë vendet e BE-së t’u mohojnë lejen atyre që përfaqësojnë një kërcënim sigurie”, tha Kovaç.

Ndërkohë, nesër më 19 prill, pritet të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.

Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar. Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024.

Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë adoptuar tekstin e miratuar nё mes tё Komisionit Evropian dhe Këshillit tё BE-sё nё lidhje me liberalizimin e vizave pёr Kosovën më 20 Dhjetor 2022.

REL përmes një grafike ka treguar se edhe sa shkallë duhet t’i kalojë Kosova deri të liberalizimi i vizave.

Sipas grafikës e cila përmban 13 shkallë, dhjetë prej tyre janë kaluar, ndërsa pas votimit të sotëm duhen edhe dy shkallë deri te liberalizimi i vizave për shtetasit kosovarë.

Çfarë nuk lejohet pas liberalizimit të vizave?

Liberalizimi i vizave në asnjë rast nuk nënkupton leje pune për të punuar dhe përfitime të tjera.

Për qëllime punësimi, shumica e shteteve në zonën Schengen kërkojnë vizë dhe leje pune – qoftë edhe për më pak se 90 ditë.

Për të studiuar, ju duhet po ashtu leje banimi në shtetin përkatës që ju mundëson të qëndroni më shumë se 90 ditë.

Liberalizimi i vizave nuk ofron të drejtën për të kërkuar azil në asnjërin prej vendeve të zonës Schengen.

Shkelja e rregullave të regjimit pa viza mund të përcillet me gjoba, dëbim të menjëhershëm ose ndalim të hyrjes në zonën Schengen për një kohë të caktuar.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.

Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok. Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkaq, i kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE.

Çka do të thotë lëvizje e lirë ne zonën Schengen?

Liberalizimi i vizave mundëson udhëtim pa vizë vetëm deri në 90 ditë (çdo gjashtë muaj) dhe jo leje pune apo të drejtën për të jetuar në ndonjërin nga shtetet, pjesë të zonës Schengen.

Shtetet në të cilat mund të udhëtohet pa viza janë ato të Bashkimit Evropian (Austri, Belgjikë, Bullgari, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Greqi, Gjermani, Holandë, Hungari, Islandë, Itali, Kroaci, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Poloni, Portugali, Qipro, Republika Çeke, Rumani, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi). Pastaj në Islandë, Norvegji, Zvicër e Lihteshtajn. Përjashtohen Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda të cilat janë jashtë zonës Schengen.

Nga momenti që do të hiqet regjimi i vizave për Kosovën, të drejtën për të udhëtuar pa viza do ta kenë të gjithë qytetarët e vendit që posedojnë pasaporta biometrike. Megjithatë, qytetarëve u rekomandohet që gjatë udhëtimit të kenë me vete dokumentet që dëshmojnë për gjendjen e tyre financiare, vendin se ku do të qëndrojnë, arsyet e vizitës dhe sigurimin shëndetësor. Kjo për shkak se policia kufitare e shtetit Schengen ka të drejtën t’i mohojë hyrjen çdo qytetari në rast të dyshimit se do të mund të keqpërdorej liberalizimi i vizave.

Ky proces do të kursej kohë dhe para, për shkak se qytetarët nuk do të kenë nevoje të bëjnë pagesën për vizë si dhe të realizojnë termin për të njëjtën.

Liberalizimi i vizave në asnjë rast nuk nënkupton mundësi punësimi apo ndonjë veprimtari ekonomike në shtetet e zonës Schengen.

Në rast se dëshironi të studioni në një nga shtetet Schengen, atëherë ju duhet të pajiseni me vizë që mundëson qëndrimin tuaj më të gjatë se 90 ditë. Për këtë duhet të kontaktoni ambasadën e shtetit në të cilin planifikoni të studioni.

Në rast se ju dëshironi të vijoni trajnime, kurse afatshkurta të cilat nuk kërkojnë qëndrim më të gjatë se 90 ditë, atëherë ju mund të përfitoni nga procesi i liberalizimit të vizave dhe nuk do të keni nevoje të pajiseni me vizë shtesë.

Në rast të shkeljeve eventuale dhe abuzimit të liberalizimit të vizave, pasojat personale përfshijnë: shqiptimin e gjobës, shënim zyrtar në dosjen tuaj ku figuron shkelja dhe e fundit dhe ndalimi i hyrjes së zonën Schengen në të ardhmen. Ky ndalim zakonisht vlen për tre deri në pesë vitet në vijim. Për më tepër, në rast se vërehet një numër i dukshëm i abuzimeve me të drejtën e udhëtimit pa vizë, atëherë Bashkimi Evropian mund të suspendojë liberalizimin e vizave për shtetin përkatës./GAZETAENIGMA/

Related Articles