Një video ekskluzive e siguruar nga RTV Dukagjini tregon si një shtallë në fshatin Donje Kërnje të Leposaviqit është bërë shkrumb e hi.
Ajo që duket si një shkaktim zjarri i rëndomtë del të jetë se nuk është fare ashtu.
Në fakt, burime të RTV Dukagjinit brenda organeve të sigurisë kanë konfirmuar se kjo shtallë është pronë e ish-policit serb R. R (emër i njohur për redaksinë). Ai ka shërbyer polic në Policinë Kufitare të Kosovës. I njëjti kishte dhënë dorëheqje si të gjithë policët e komunitetit serb në Veri të Kosovës, ndërsa shtalla e tij u dogj një ditë pasi që ai kishte bërë këtë veprim.
Por, kush qëndron prapa gjithë këtij akti kriminal në Komunën e Leposaviqit?
Burime shumë të besueshme brenda organeve të sigurisë kanë bërë me dije për RTV Dukagjinin se këtë akt e kanë kryer pjesëtarë të organizatës “Mbrojtja Civile”.
Aktin e kanë kryer pas dorëheqjes së zyrtarit policor, ndërsa arsyeja se pse i është djegur shtalla e tij është se polici në fjalë për vite të tëra konsiderohet si “njeri” i besueshëm i organeve te sigurisë së Republikës së Kosovës.
I njëjti polic nga organizata me prirje ekstreme në Serbi është akuzuar edhe në të kaluarën si “tradhtar” i serbëve. Akuza konkrete ndaj policit me inicialet R.R ka pasur në kohën kur Inspektorati Policor i Kosovës kishte ndërmarrë një operacion në veri e ku u arrestuan dhjetëra zyrtarë policorë nga komuniteti serb.
Ai bashkë edhe me zyrtarin tjetër policor D. N, janë akuzuar nga këto organizata serbe se kanë bashkëpunuar me IPK-në në këmbim të parave dhe pozitave më të larta brenda policisë.
Policit D. N. kohë më parë i është djegur vetura në Veri të Kosovës.
Në lidhje me këtë rast, RTV Dukagjini ka kontaktuar me Policinë e Kosovës në Drejtorinë Qendrore. Por, zëdhënësi Bajram Krasniqi ka thënë se gjithçka çfarë kanë pasur për të deklaruar e kanë bërë përmes komunikatave për media.
Në fakt për rastin konkret, Polica e Kosovës ka lëshuar një komunikatë me datë 6 nëntor e ku nuk jepen detaje për funksionin e zyrtarit policor.
“Policia e Kosovës, me datën 06.11.2022, rreth orës 04:00 (pas mesnate) ka pranuar një informacion për djegien, vënien e zjarrit ndaj një objekti (shtallë), pronë e viktimës mashkull kosovar i komunitetit serb, me banim në Donje Kërnjen nga komuna e Leposaviqit. Njësiti policor ka dale në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme policore, përderisa Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, në hetimin dhe zbardhjen e këtij rasti dhe të rasteve të tjera të zjarrvënieve, të ndodhura dhe të orientuara ndaj pronave private” thuhej në njoftimin e policisë.
Deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar në cilësinë e të dyshuarit për këtë rast.
Për rastin konkret, RTV Dukagjini ka pyetur edhe Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Por, zëdhënësi Valon Preteni ka thënë se nuk mund të japë informata për raste specifike, pasi është vikend dhe duhet që të shfletohet më shumë për këtë rast. Ai gjithashtu shtoi se prokuroria ka qenë e zënë duke u marrë me dorëheqjet që kanë bërë përfaqësuesit e komuniteti serb nga institucionet e Kosovës.