B.V 50-vjeçar, u privua nga jeta mbrëmë në afërsi të kafeterisë ku zakonisht pinte kafe. Prokuroria Themelore e Gjilanit është në fazën fillestare të hetimeve. Ai punonte taksist dhe ishte person që njihej nga qytetarët e Gjilanit, shkruan Gazeta Enigma.
Lidhur me rastin Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata kompetente në Gjilan, caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve F.O., G.B. dhe I.V., për shkak të dyshimit se me armë zjarri kanë privuar nga jeta tani të ndjerin B.V.
Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit e sipërshënuar, më 12 Shtator 2021, rreth orës 19:45 minuta, pas një përgatitje paraprake, në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të ndjerin B.V., duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë, të cilët kanë qenë afër tij.
Tutje nga Prokuroria bëjnë të ditur se në atë mënyrë së bashku kanë ardhur me një veturë të markës ‘’Audi A3’’ dhe janë ndalë tek një market, ku nga aty të armatosur kanë dalë dy nga të pandehurit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen të ndjerit, i cili ishte ulur në një kafiteri në Gjilan, të cilët pastaj kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, ku për shkak të plagëve të marra i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit pas kryerjes së vrasjes janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
“Me këto veprime, të njëjtit në bashkëkryerje dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).Gjithashtu, të njëjtit dyshohen edhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, pasi që në mënyrë të paautorizuar kanë mbajtur në pronësi armë zjarri”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Kujtojm se ngjarja ka ndodhur në mbrëmjes e së dieles në qendër të Gjilanit, ku një person ka mbetur i vrarë.
Policia tha se është sekuestruar vetura me targa vendore, e cila dyshohet se u përdor në rastin e vrasjes së 50-vjeçarit.
Motivet e vrasjes mbeten akoma të panjohura zyrtarisht.
Për vrasjen e B.V., lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, derisa ka njoftuar se i ndjeri ishte nga Bujanoci, raporton Gazeta Enigma .
“Ju njoftojmë se rreth ores 19:45 te dates sotme ka pasur te shtena me armë zjarri në Gjilan – te parku qytetit në një kafiteri. Personi mashkull I moshes 50 vjeqare dyshohet se eshte nga Bujanovci ka qene duke pire kafe ne kafiteri dhe aty kane ardhur dy persona kane shtene me armë zjarri dhe kani ikur n këmbë drejtim te stacionit të autobusave”, njoftoi Hashani.
“Të gjitha njesit janë angazhuar dhe nga vendi I ngjarjes ësht siguruar, njoftohet se viktima e cekur eshte pa shenja jete. Per informata tjera ju njoftojmë me raport te shpejtë”, deklaroi tutje ai.
Gazeta ‘Enigma’ do të sjellë në vazhdimësi detaje të reja lidhur me këtë rast.