Detaje tragjike nga vrasja e çiftit kosovar në Florida: Gruaja e qëlloi disa herë Pajtim Krasniqin

Detaje tragjike nga vrasja e çiftit kosovar në Florida: Gruaja e qëlloi disa herë Pajtim Krasniqin

Policia e Hallandalle Beach ka dhënë detaje për rastin tragjik të vdekjes së çiftit kosovar në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 26 nëntor.

Sipas policisë amerikane thuhet se e ndjera Sabrina Krasniqi e ka qëlluar me armë zjarri bashkëshortin e saj disa herë para vdekjes në bllokun 1,800 të South Ocean Drive.

“Me të mbërritur, oficerët zbuluan një skenë tragjike ku përfshiheshin burri dhe gruaja, 34-vjeçari Pajtim Krasniqi dhe 27-vjeçarja Sabrina Krasniqi, të dy të vdekur nga plagët e dukshme me armë zjarri”.

“Përmes hetimeve është konstatuar se Sabrina Krasniqi ka qëlluar për vdekje disa herë bashkëshortin e saj para se t’i merrte jetën. Ngjarja ka ndodhur në banesën e tyre të përbashkët”, thuhet nga Polica e Hallandalle Beach.

Ndër tjera, nga policia në fjalë janë shprehur ngushëllime për viktimat.

“HBPD shpreh ngushëllimet më të thella për familjen dhe më të dashurit tyre të e prekur nga kjo ngjarje zemërthyese”, thuhet nga policia amerikane.

Për rastin në fjalë ka reaguar motra e të ndjerit e cila ka thënë se vëllanë e saj e vrau gruaja e tij. Madje ajo e quan tradhti këtë akt, pasi sipas saj, i ndjeri e donte dhe i besonte aq shumë gruan e tij.

“Festën e Falënderimeve nuk e kalova me burrin dhe fëmijët e mi. Nuk e kalova me miqtë e mi. Këtë ditë e kalova me policët, hetuesit dhe lajmet që flisnin për vrasjen e egër dhe të pakuptimtë të vëllait tim të vogël nga gruaja e tij”, ka shkruar motra e viktimës në Facebook.

“Gruaja e Pajtimit zgjodhi t’ia merrte jetën vëllait tim, kur ajo e qëlloi me pesë plumba në krahërorin e tij. Personit të cilin i besonte kaq shumë, personin të cilin e zgjodhi të kalonte jetën edhe ia mori. Ajo e tradhtoi atë, dashurinë dhe besimin e tij. Ajo e shkatërroi familjen time. Unë dhe vëllezërit e motrat e mia nuk do të jemi më kurrë njësoj. Jam e tmerruar që nëna ime nuk do ta kalojë kurrë këtë. Të dua përgjithmonë Pajtim”, ka shkruar mes tjerash Albana Krasniqi.

Rrethanat e vrasjes ende mbesin të paqarta dhe nuk dihet motivi i këtij akti.

Related Articles