Kreu i Qeverisë kosovare, Albin Kurti, të premtën nisi takimin e parë jashtë vendit për këtë vit, shkruan Gazeta “Enigma”.
Kurti bashkë me kryediplomaten, DonikaGërvalla, udhëtoi për në Mynih të Gjermanisë për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë.
Kurti që nga e premtja, gjatë vizitës ka zhvilluar me dhjetëra takime, ku tema kryesore ishte zhvillimi i marrëdhënieve midis shteteve të Ballkanit perëndimor.
Nga liderët, Kurti e takoi vetëm kryeministrin e ri maqedonas dhe atë të Bullgarisë.
Në ditën e parë të pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla u takuan me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Buxhet dhe Administratë, Johannes Hahn, ku mes rreshtave u përmend edhe mungesa e liberalizimit të vizave për Kosovën, por që nuk pati ndonjë mesazh konkret.
Kryeministri kosovar, mes takimeve të tjera u takua edhe me kryeministrin e ri të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Në ditën e parë në Mynih, Kurti u takua po ashtu edhe me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Jordanisë, Ayman Safadi. Përveç tjerash, në këtë takim u tha se u diskutua mbi qëllimet e përbashkëta në fushën e sigurisë dhe për sfidat në ballafaqimin me pandeminë.
Me një xham që i ndante dy palët, Kurti me kabinetin e tij u takua edhe me ministren e Punëve të Jashtme të Australisë, Marise Payne.
Të shtunën, Kurti sërish vazhdoi me takime.
Ai njoftoi për takimin e realizuar me Senatoren nga shteti i Iowa-s, Joni Ernst. Temat e diskutimit u tha se ishin partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, si dhe rritja e bashkëpunimit mes Kosovës dhe shtetit të Iowa-s.
Kurti më pas pati takim edhe me Cem Özdemir, ministër për Agrikulturë të Republikës Federale të Gjermanisë.
Edhe në Gjermani, Kurti e takoi Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák, me të cilin u shfaq me disponim të mirë. Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti sërish shprehu emisarit evropian gatishmërinë e tij për dialogun me Serbinë.
Çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ishte tema e takimit tjetër ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe zëvendëskryeministres Donika Gërvalla me Presidentin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Peter Maurer.
Kurti u takua edhe me bashkë-drejtuesin e Partisë së Gjelbër gjermane, deputetin Omid Nouripour.
Zyra e Kryeministrit, njoftoi edhe për një takim të realizuar midis Kurtit dhe kryeministrit të Bullgarisë, Kiril Petkov. Aty u tha se ata biseduan për mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit rajonal, sidomos në fushën e sigurisë dhe të diversifikimit të energjisë.
Kurti e takoi edhe lideren opozitare të Bjellorusisë, Sviatlana Tsikhanouskaya. Situata aktuale politike dhe përkeqësimi i demokracisë në Bjellorusi, u diskutuan në këtë takim.
Në përfundim të ditës së dytë të qëndrimit në Mynih të Gjermanisë, Kurti dhe Gërvalla e takuan Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell. Në takim u diskutua kryesisht për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Të dy më pas e takuan edhe ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde.
Edhe e dita e diel ishte ditë aktive për kryeministrin Kurti e ministren Gërvalla.
Ata i priti Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, me të cilin u tha se u diskutua rreziku i ndarjes së Bosnjës dhe siguria në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kurti sot në Konferencën e Sigurisë në Gjermani, mori pjesë edhe në një panel me titullin “Humbur në Tranzicion: Sfidat dhe Perspektivat e Llogaridhënies dhe Drejtësisë Tranzicionale”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në këtë tryezë theksoi se ka ripërsëritur thirrjen e tij ndaj Serbisë që t’i hapë arkivat shtetërore.
Kurti ka thënë se krimet e luftës të kryera nga Serbia në Kosovë, ishin krime shtetërore.
“E kaluara nuk ka kaluar ende pasi krimet e luftës dhe gjenocidi janë ende të mohuara. Në panelin #MSC2022 : ‘Të humbur në tranzicion: sfidat dhe perspektivat e llogaridhënies dhe drejtësisë tranzicionale’ i bëra thirrje Serbisë që të hapë arkivat shtetërore sepse krimet e kryera në Kosovë ishin krime shtetërore”, ka shkruar ai në Twitter. /Gazeta Enigma.