Shtetet e Bashkuara vranë liderin e Al-Kaidës, Ayman al-Zawahiri, në një sulm me dron në Afganistan, të kryer në fundjavë.
Derisa sot, Shtëpia e Bardhë ka publikuar një imazh të presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, i cili është takuar me ekipin e sigurisë kombëtare për të diskutuar operacionin kundër terrorizmit për të shuar Ayman al-Zawahri.
Fotografia u ndryshua në mënyrë dixhitale nga Shtëpia e Bardhë ku tregon presidentin Joe Biden duke u takuar me drejtorin e CIA-s, William Burns, majtas, dhe këshilltarë të tjerë të CIA-s dhe Sigurisë Kombëtare rreth liderëve të al-Kaidës dhe vendndodhjeve të tyre më 1 korrik 2022, në dhomën e situatës në Shtëpinë e Bardhë.
Shtëpia e Bardhë tha në këtë takim se presidenti u informua për operacionin e propozuar dhe iu tregua një model i shtëpisë së sigurt ku fshihej al-Zawahiri.
Al-Zawahiri ishte një prej figurave kryesore që ndihmoi Osama bin Ladenin të organizonte sulmet e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara dhe ndihmoi Al-Kaidën të mbijetonte dhe të përhapej në vitet pasardhëse.
Gjithashtu më 2 maj të vitit 2011, një operacion i kryer gjatë natës nga forcat speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rezultoi me vrasjen e njeriut më të kërkuar në botë, Osama bin Laden.
Presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama dhe nënpresidenti Joe Biden, bashkë me anëtarët e ekipit të sigurisë kombëtare, shikojnë operacionin teksa zhvillohet.