Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, të bërë në vitin 2011, Kosova llogaritet t’i ketë 1.739.825 banorë, ndërkaq, në po të njëjtin vit është bërë regjistrimi i popullsisë edhe në Shqipëri, ku rezultoi se popullsia ishte mbi 1 milion më shumë se Kosova – me mbi 2.8 milionë banorë në total.
Krahas këtyre të dhënave, shumë shtetas nga të dy vendet jetojnë edhe në diasporë.
Sipas të dhënave të fundit, rreth 850 mijë kosovarë jetojnë jashtë vendit, ndërsa shtetas të Shqipërisë në diasporë janë rreth 1.6 milion.
Por, kush dërgon më shumë para në vendlindje?
Sipas të dhënave të BQK-së, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, emigrantët kosovarë në vendlindje kanë dërguar 635.1 milionë euro.
Ndërkaq, INSTAT ka treguar se emigrantët e Shqipërisë kanë dërguar 444 milionë euro në vendlindje.
Kjo nënkupton se kosovarët dërguan më shumë para në atdhe edhe pse janë në numër më të paktë, në krahasim me mërgimtarët e Shqipërisë.
Statistikat e publikuara nga Eurostat tregojnë se vlera e remitencave në Shqipëri ka shënuar rritje 18% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Kurse ato të Kosovës shënuan rritje 14% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës.
Gjatë tërë vitit të kaluar, diaspora e Kosovës dërgoi 1.22 miliard euro.