Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se sot do të mbajë mot me diell dhe vapë.
IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9-13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 29-35 gradë Celsius.
Indeksi UV ne vlerat ekstreme, prandaj këshillohet respektimi i IKSHP nga ora 10:00-16:00 të mos jemi në kontakt direkt me rrezet e diellit ose të bartim masat mbrojtëse.
Edhe ditët tjera parashihen të jenë me vapë prandaj kujdes për gjitha moshat, sidomos shtresa e popullatës që kanë probleme me sëmundje kronike.
Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes dhe jugperëndimit.
Drita Gashi – Peqani, mjeke në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, një ditë më parë tha për Telegrafin se ngritja e temperaturave i ka shtuar edhe më shumë pacientët që kërkojnë ndihmë nga goditja solare.
“Në momentin që rriten temperaturat në ambient të jashtëm, rritet edhe numri i pacientëve, sepse vijnë këtu me ankesa të ndryshme sidomos me ngritje dhe ulje të tensionit arterial. Në momentin që ndodh kjo lëkura është e skuqur dhe e ngrohtë, pacientët kanë marramendje dhe humbje të vetëdijes. Nëse personi gjendet drejtpërdrejtë në rreze të diellit, të tërhiqet në hije dhe të kërkohet ndihma mjekësore”, tha ajo, për Telegrafin.
Gashi-Peqani tha që personat e moshuar, fëmijët dhe ata të cilët vuajnë nga sëmundjet e ndryshme të ruhen nga rrezet e forta të diellit nga ora 10:00 deri në 17:00.
Mjekja deklaroi se temperaturat e larta mund të ndikojnë keq edhe në shëndetin e grave shtatzënave.
“Temperaturat të cilat po mbizotërojnë ditëve të fundit janë temperatura shumë të larta. Sidomos për personat që kanë imunitet të dobësuar dhe kanë ndonjë sëmundje kronike si ato kardio-vaskulare të zemrës, respiratorë të mushkërive, sëmundje renale dhe diabeti. Për gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël, mund të jetë shkak për keqësimin e gjendjes së tyre shëndetësore”, theksoi Gashi-Peqani.
Dehidratimi është ajo që ndodhë nga goditja solare apo nga dielli, mirëpo edhe marramendja, skuqja e lëkurës janë disa prej simptomave të një goditje të tillë, sipas doktoreshës Peqani.
“Kur ndodhë dehidratimi kemi skuqje të lëkurës, marramendje molisje dhe kjo mund të dërgojë edhe te influenca renale për shkak të goditjes solare. Pacientë me goditje të fortë solare nuk kemi pasur, mirëpo me simptoma të përgjithshme si ngritje dhe ulje e tensionit arterial”, përfundoi ajo. /