Mbrëmjen e së hënës ka ndodhur një aksident trafiku në Mamushë, ku kanë qenë të përfshira tri automjete, në mesin e tyre edhe një veturë e Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi tha se deri te aksidenti ka ardhur si pasojë e ngasjes së pakujdesshme të drejtuesit të automjetit nr. 1, i cili po lëvizte nga fshati Neprebisht në drejtim të fshatit Mamushë.
I njëjti, sipas Bytyqit, duke mos ia përshtatur shpejtësinë kushteve dhe rrethanave të rrugës, përkatësisht një pike kontrolli policor, nuk ka arritur të ndalet me kohë, ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe fillimisht ka goditur automjetin nr. 2, të tipit Mercedes.
Pas përplasjes, automjeti ka kaluar në krahun e majtë të rrugës dhe ka përfunduar në parkingun e një servisi, ku ka goditur edhe veturën zyrtare të Policisë, të tipit Shkoda, e cila ndodhej në pikë kontrolli jashtë rrugës.
Si pasojë e aksidentit, përveç dëmeve materiale në të tri automjetet, lëndime trupore kanë pësuar drejtuesit e automjeteve nr. 1 dhe nr. 2, si dhe disa pasagjerë.
Të lënduarit kanë marrë trajtim mjekësor dhe më pas janë liruar për në shtëpi.
