Dita “D” e Kuvendit nën presionin e ndërkombëtarëve

Dita “D” e Kuvendit nën presionin e ndërkombëtarëve

Pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Kosova ende nuk ka kuvend funksional, shkaku i mospajtimeve mes partive politike, shkruan Gazeta “Enigma”.

Mosvotimi i kandidates për kryekuvendare, Albulena Haxhiu, e propozuar nga partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosja, nga partitë opozitare, po e mban Kuvendin jofunksional për pesë muaj, në seanca të njëpasnjëshme cdo 48 orë.

VV-ja ka tentuar të fus edhe votimin e fshehtë për të votuar Haxhiun, gjë e cila poashtu është kundërshtuar nga partitë opozitare.

Topi përsëri te Kushtetuesja

Mosgjeta e një zgjidhje ka bërë që partitë politike, t’i drejtohen tash e disa herë Gjykatës Kushtetuese.

Më 26 qershor, Kushtetuesja doli me një aktgjykim, ku i detyroi partitë të gjejnë një zgjidhje brenda një afati 30-ditor, e afat ky i cili mbaron të premten e 25 korrikut, ditën edhe kur mbahet seanca konstituive.

Mosgjetja e një zgjidhje eventuale brenda këtij afati, ka alarmuar edhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani, duke iu drejtuar edhe njëherë kësaj Gjykate.

Osmani më 22 korrik ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vendosjen e një mase të përkohshme për pezullimin e rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh. Në një konferencë për media, presidentja ka bërë të ditur se kjo kërkesë ka për qëllim të parandalojë shkeljen e Kushtetutës nga ana e deputetëve në rast të konstituimit të Kuvendit pas skadimit të afatit kushtetues, apo krijimit të një qeverie në mënyrë të kundërligjshme.

Ndërkombëtarët në Kuvend për ditën e fundit të afatit konstituiv

Kori diplomatik pritet të marrë pjesë në seancën e nesërme, që është edhe mundësia e fundit për konstituimin e Kuvendit, para afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese që përfundon të shtunën.

Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada e Gjermanisë.

“Meqë nesër është mundësia e fundit për ta konstituar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetetuese, Ambasadori Rohde, bashkë me kolegët e tjerë ndërkombëtarë, planifikojnë ta ndjekin seancën nga parlamenti”, thuhet në njoftim.

“Gjykata Kushtetuese e ka vetëm një rrugë përpara…”

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka komentuar kërkesën e presidentes Osmani drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se ndonëse pyetjet e ngritura janë të rëndësishme, ato nuk do të duhej të ishin dërguar në këtë formë.

“Pyetjet e shtruara nga Presidentja Osmani, në shkresën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese, janë pyetje me vlerë, por janë edhe të panevojshme,” ka deklaruar ai për Gazetën “Enigma”.

Sipas Kryeziut, Gjykata Kushtetuese nuk ka rol edukues dhe nuk duhet të trajtohet si e tillë.

“Gjykata Kushtetuese nuk mund të vishet me petkun e edukatorit, sepse disa gjëra janë të vetëkuptueshme”.

Duke iu referuar afatit për konstituimin e Kuvendit, ai ka theksuar se ky afat është i përcaktuar qartë në normën kushtetuese dhe nuk lë vend për interpretime alternative.

“Kuvendi duhet të konstitutohet brenda 30 ditësh. Në rastin konkret, më së voni deri më 26 korrik 2025,” ka thënë Kryeziu.

Sipas tij, me përfundimin e këtij afati, legjislatura e 9-të bëhet juridikisht joaktive.

“Pas datës 26 korrik, në terma praktik, legjislatura e 9-të është ligjërisht jofunksionale, pra zhveshët nga aftësia juridike për të vepruar”.

Ai gjithashtu e ka konsideruar të papranueshme çdo tentim për të vazhduar seancën konstituive pas këtij afati.

“Pas datës 26 korrik 2025, nuk mund të vazhdohet me vazhdimet e seancës çdo 48 orë. Çdo ftesë për vazhdim të seancës konstituive është veprim kundër kushtetues”.

Kryeziu ka komentuar edhe mundësinë e zëvendësimit të deputetëve pas skadimit të afatit kushtetues. Ai ka pranuar se qëndrimi i tij i mëhershëm për këtë çështje ka qenë i paplotë.

“Në shënimet e mëhershme kam theksuar që deputetët mund të humbin mandatin dhe mund të zëvendësohen me të tjerë nga listat zgjedhore. Por, pas një analize më të thellë të aktgjykimit, konsideroj që ky pohim është gjysmak”.

Ai ka theksuar se humbja e mandatit nuk mund të pasohet me zëvendësim, pasi vetë legjislatura është jofunksionale.

“Pas datës 26 korrik, deputetët vërtet e humbin të drejtën e ushtrimit të mandatit, por ata nuk mund të zëvendësohen”.

Sipas tij, çdo përpjekje për zëvendësim do të nënkuptonte se Kuvendi ende funksionon, gjë që bie ndesh me faktin që ai është jofunksional.

“Zëvendësimi nënkupton që, pas skadimit të afatit 30 ditor, legjislatura e 9-të vazhdon të jetë ligjërisht funksionale. Duke qenë që, pas 26 korrikut, legjislatura e 9-të, si tërësi, e humb aftësinë juridike për të vepruar, pra është ligjërisht jofunksionale, nuk mund të bëhet zëvendësimi i deputetëve me kandidatë të tjerë nga listat zgjedhore”, shtoi ai.

Në këtë situatë, Kryeziu vlerëson se Gjykata Kushtetuese ka vetëm një rrugë të mundshme përpara.

“Në mbrojtje të rendit kushtetues, përkatësisht parimit të ndarjes së pushteteve dhe funksionimit demokratik të institucioneve, Gjykata Kushtetuese nuk ka rrugë tjetër pos që t’ia lejojë Presidentit të Republikës të drejtën për të shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme”, përfundoi ai.

Related Articles