Dita e dytë e Escobar dhe Lajçak në Kosovë, çka u diskutua në takimet me liderët e opozitës?

Dita e dytë e Escobar dhe Lajçak në Kosovë, çka u diskutua në takimet me liderët e opozitës?

Në ditën e dytë në Kosovë, përfaqësuesi special i Bashikimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar, të martën u takuan ‘ballë për ballë’ me gjithë liderët e partive opozitare, shkruan Gazeta “Enigma”.

Konaku i këtyre takimeve ishte Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, e ‘gjella kryesore’ ishte dialogu midis Kosovës e Serbisë.

Të ftuar me rend në ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Krasniqi, Abdixhiku e Haradinaj njoftuan pas takimeve me dy diplomatët se aty i kanë shprehur të njëjtat kërkesa.

Nga partia më e madhe opozitare, PDK-a, u tha se në takim i theksua se subjekti i tyre e mbështet një dialog i cili siguron njohjen e ndërsjellë midis dy vendeve.

“PDK mbështetë dialogun si mekanizëm për arritjen e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron njohjen e ndërsjellë, pa cenuar sovranitetin shtetëror, intergritetin territorial dhe rendin kushtetues”, shkroi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit.

Pas Krasniqit, dy emisarët në takim e pritën edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

I shoqëruar nga nënkryetarët Lutfi Haziri dhe Kujtim Shala, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku deklaroi se theksuan se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke, që siguron normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Në këtë takim i njoftuam përfaqësuesit në fjalë mbi qëndrimet e LDK-së karshi situatës politike në vend, me theks të veçantë për procesin e dialogut. Bëmë të ditur edhe njëherë qëndrimin tonë politik mbi këtë proces, rëndësinë e tij për vendin tonë dhe nevojën që i njëjti të përfundojë me njohje të ndërsjellë e normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve – duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues te Kosovës”, shkroi Abdixhiku në “Facebook”.

Abdixhiku tha se dy dilpmatët e kanë vlerësuar rolin e LDK-së në proceset e rëndësishme të vendit, siç është dialogu me Serbinë.

E pa u takuar me emisarët s’mbeti as kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ai tha se në takim ka theksuar se SHBA-të duhet të kenë rol kyq në dialog.

“Kam ripërsëritur përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, gjë që mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shkroi Haradinaj në Facebook pas takimit.

Kjo është dita e dytë e vizitës së dy emisarëve në Prishtinë, pas së cilës ata do të shkojnë edhe në Beograd.

Emisari evropian , Lajçak të hënën ka theksuar se shpreson që “ta kemi një fotografi më të qartë të asaj se çfarë duhet të presim nga e ardhmja dhe se si të ndërtohet procesi”.

Ndërsa Escobar siguroi se Kosova e ka një partner dhe mik të mirë përkrah. “Ju duhet të jeni miq me Shtetet e Bashkuara”, tha ai, ndërsa foli se si Kosova duhet ta ndjek edhe rrugën e saj të integrimit në BE. / Gazeta Enigma.

Related Articles