Dita e gjashtë e luftës në Ukrainë – Kievi përgatitet për një tjetër natë të vështirë

Dita e gjashtë e luftës në Ukrainë – Kievi përgatitet për një tjetër natë të vështirë

Në ditën e gjashtë te sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, shteti rus në 24 orët e fundit është bërë edhe më agresiv duke sulmuar veçanërisht kryeqytetin Kyiv dhe Kharkiv, shkruan Gazeta Enigma.

Të paktën gjashtë persona u plagosën nga sulmi me raketë në qytetin e Ukrainës, njoftoi Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainë.

Shpërthimi shkatërroi një ndërtesë qeveritare, po ashtu duke e shkatërruar edhe vetura të cilat ishin në lëvizje.

“Rusia po bën luftë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare humanitare. Vret civilë, shkatërron infrastrukturën civile. Objektivi kryesor i Rusisë janë qytetet e mëdha që tani qëllohen nga raketat e saj”, shkroi Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës në Twitter, duke shpërndarë një video nga sulmi me raketa në ndërtesën e Administratës Shtetërore Rajonale të Kharkiv.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy e ka përshkruar bombardimin e Kharkivit, i cili ka vrarë dhjetëra civilë, si një krim lufte.

Sulmi i ri në Kharkiv, shpërthen zjarr në kompleksin banesor pranë spitalit

Një sulm i ri ushtarak në Khariv të Ukrainës ka goditur para pak çaste një kompleks apartamentesh pranë një spitali.

Shpërthimi pranë spitalit vjen disa orë pasi një sulm ushtarak ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesën e administratës rajonale të Kharkivit, raporton CNN, përcjell Gazeta Enigma.

80 mijë ukrainas që jetojnë jashtë vendit u kthyen për të luftuar në atdhe

Ministria e Brendshme e Ukrainës ka thënë se 80 mijë ukrainas janë kthyer nga jashtë vendit që të luftojnë për liri kundër agresorit rus.

Këta njerëz janë kthyer prej momentit kur Rusia filloi fushatën e pushtimit të Ukrainës.

Kështu bën të ditur “The Kyiv Independent” në një shkrim.

“80,000 ukrainas u kthyen nga jashtë që kur Rusia filloi pushtimin”, shkruan në Twitter.

“Sipas Ministrisë së Brendshme, e cila citon Shërbimin Shtetëror të Rojës Kufitare, shumica dërrmuese e këtyre shtetasve ishin burra që u bashkuan në radhët e Forcave të Armatosura dhe formacioneve të tjera ushtarake”, thuhet tutje.

Ndësa, zyrtarët e Bashkimit Evropian po shqyrtojnë ofrimin e statusit të azilit dhe refugjatit për ushtarët që duan të braktisin ushtrinë ruse, për sa kohë që nuk kanë kryer krime lufte.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba i kërkon homologut të tij kinez në një telefonatë që të përdorë lidhjet e Pekinit me Moskën për të ndaluar pushtimin ushtarak të Rusisë

Sipas deklaratës, Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi i tha Kuleba se Pekini ishte i gatshëm të bënte çdo përpjekje për të ndihmuar në përfundimin e luftës përmes diplomacisë.

Kina, e cila është afruar më shumë me Moskën vitet e fundit, ndërkohë që ka pasur gjithashtu lidhje të përzemërta diplomatike dhe lidhje të forta tregtare me Ukrainën, ka refuzuar të dënojë sulmin e Rusisë ndaj vendit ose t’i quajë veprimet e saj atje një pushtim.

Telefonata mes të dyve është e para që raportohet që nga sulmi i Rusisë ndaj fqinjit të saj të enjten e kaluar. Ajo u iniciua nga Kuleba, sipas ministrisë së jashtme të Kinës.

Wang përsëriti thirrjen e Kinës për një zgjidhje të krizës përmes negociatave, duke thënë se ajo mbështet të gjitha përpjekjet ndërkombëtare që mund të ndihmojnë në arritjen e një zgjidhjeje politike, tha ministria e jashtme kineze në një deklaratë.

Të mërkurën takimi i dytë Rusi-Ukrainë sipas mediave ruse, Ukraina nuk e konfirmon

Mediat ruse kanë raportuar se takimi i dytë mes përfaqësuesve ukrainas dhe rusë, do të mbahet të mërkurën. Por, sipas asaj që shkruan CNN, takimi duhet të konfirmohet edhe nga pala ukrainase.

Agjencia ruse e lajmeve TASS, ka cituar sot një burim të afërt me palën ruse, që thotë se e mërkura e 2 marsit, është data për të cilën të dyja palët janë dakorduar për takimin e dytë.

Po ashtu, edhe agjencia tjetër e lajmeve RIA, ka raportuar për këtë takim, i cili parashihet të mbahet në Bjellorusi, afër kufirit me Poloninë. Agjencia e ka cituar politikanin rus Yuri Voskresensky, i cili është i informuar dhe i afërt me zhvillimet.

Sipas tij, anëtarët e parë të të dyja delegacioneve do të mbërrijnë në kryeqytetin bjellorus, Minsk, këtë mbrëmje.

Takimi i parë që u mbajt këtë të hënë, ka zgjatur për pesë orë dhe ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje konkrete për të zbutur tensionet apo për të arritur armëpushimin.

Në fakt, sulmet nga armata ruse vetëm sa janë intensifikuar që nga e hëna, duke e rritur ndjeshëm numrin e civilëve të vrarë.

Bideni siguron që Perëndimi të jetë në të njëjtën faqe për pushtimin rus të Ukrainës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë se do të sigurojë që aleatët e Amerikës të jenë të bashkuar në përgjigjen ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Kështu është shprehur ai para gazetarëve pak para fjalimit të tij të përvitshëm për gjendjen e shtetit para kongresistëve këtë të martë

Jake Tapper nga CNN, duke parafrazuar komentet e Presidentit, tha se Bideni ka njoftuar se është “vendosmëria e tij për t’u kujdesur që Bashkimi Evropian, NATO dhe të gjithë aleatët të jenë në të njëjtën faqe të saktë për sa i përket sanksioneve kundër Rusisë dhe mënyrën se si e trajtojnë pushtimin e Ukrainës”.

Ai më tej ka thënë se Bideni e ka shprehur gjënë që sipas tij është më e rëndësishmja: Uniteti i NATO-s dhe Perëndimit.

 GJND-ja mban seancë dëgjimore më 7 dhe 8 mars për luftën në Ukrainë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), organi kryesor gjyqësor i Kombeve të Bashkuara, konfirmoi sot se do të mbajë seanca dëgjimore më 7 dhe 8 mars për luftën në Ukrainë.

Kjo vjen pas paraqitjes së një kërkese nga Ukraina në GJND të dielën për një “mosmarrëveshje në lidhje me interpretimin, zbatimin dhe përmbushjen e Konventës së vitit 1948 dhe Parandalimin e Ndëshkimit të Krimeve të Gjenocidit”, sipas një njoftimi të GJND-së.

Parlamenti Evropian voton për pranimin e Ukrainës si vend kandidat në BE

Parlamenti Europian ka votuar thuajse unanimisht për pranimin e Ukrainës si vend kandidat në Bashkimin Evropian.

Prej 676 votave, 637 ishin për, 13 kundër dhe pati 26 abstenime.

Ky votim vetëm e rekomandon Ukrainën për marrjen e statusit të vendit kandidat ndërsa fjala e fundit merret në nivel të përfaqësuesve të vendeve anëtare.

Aplikimi i Ukrainës për anëtarësim në BE erdhi pak ditë pas sulmit nga Rusia./Gazeta Enigma/

Related Articles