Ditët e numëruara për emrin e Presidentit të ri? Njohësit e politikës shprehin skepticizëm për një marrëveshje

Ditët e numëruara për emrin e Presidentit të ri? Njohësit e politikës shprehin skepticizëm për një marrëveshje

Gjykata Kushtetuese e Kosovës dha aktgjykimin e shumëpritur, lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit.

Shpërndarja e Kuvendit u anulua, pasi Kushtetuesja tha se dekreti nuk ka efekt juridik.

Ndërkohë, organi më i lartë i vendit i dha afat ligjvënësve edhe 34 ditë (nga e mërkura), që ta zgjedhin Presidentin e ri.

Në aktgjykim, Kushtetuesja tha se në rast dështimi, pas 34 ditësh vendi shkon automatikisht në zgjedhje.

Reagimet pas shpalljes së aktgjykimit

Nga Presidenca thanë se Gjykata Kushtetuese, “në asnjë paragraf të aktgjykimit të saj, nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentes”.

“Përkundrazi, ka konfirmuar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces të zgjedhjeve”, u tha në reagimin e Presidencës.

Presidentja thuhet se e mirëpret afatin 34-ditor të dhënë deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga ana e gjykatës dhe u bëri atyre thirrje që “urgjentisht ta kryejnë këtë detyrim kushtetues”.

Shefja e GP-së të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se “është koha për t’i lënë inatet dhe për ta zgjedhur presidentin e ri”.

“Tashmë i kemi edhe 34 ditë për ta përfunduar procedurën për zgjedhjen e presidentit. Është një kohë kur duhet që të gjitha inatet të largohen e ta zgjedhim presidentin”, ka thënë ajo.

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se PDK-ja e respekton vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese.

“Ne e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese si institucion kyç i rendit demokratik, ashtu siç kemi vepruar gjithmonë”, ka thënë shkurtimisht Çitaku, duke treguar se PDK-ja do t’i mbledhë organet e saj drejtuese për të diskutuar për zhvillimet e reja dhe hapat e ardhshëm.

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka vlerësuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese si qartësues dhe të nevojshëm, në një moment të rëndësishëm institucional për vendin.

Ai thotë se LDK-ja e respekton plotësisht këtë vendim dhe e konsideron atë udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike.

Por a do pajtohen partitë për një emër?

Njohësi i çështjeve politike, Xhavit Drenori, në një prononcim për Gazetën Enigma, thotë se çështjen e Presidentit e kanë në dorë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

“Shenja të lëvizjes nga qëndrimet e tyre kanë dhënë secila nga partitë, mirëpo serioziteti i tyre mbetet të shihet te LVV-ja dhe PDK-ja. LDK-ja ndërkohë mund të kalkulojë në rikthimin e Vjosa Osmanit, pra në ribashkimin e forcave, ku do të mund të dilte me një rezultat më të mirë sesa më 28 dhjetor. Prandaj, VV dhe PDK nuk kanë çfarë të fitojnë, apo çfarë të pretendojnë se do të fitojnë, nëse shkojnë në zgjedhje të reja të parakohshme. Këto dy subjekte politike duhet të dakordohen për një emër konsensual”, deklaroi Drenori për “Enigmën”.

“Kur flas për një kandidat konsensual, i bie Kurtit që të ecë një hap përpara, duke i propozuar PDK-së disa kandidatë dhe të arrihet një marrëveshje me shkrim”, shtoi ai.

Ndërkohë, sa i përket një bashkëpunimi LVV-LDK për zgjedhjen e Presidentit, Drenori tha se gjasat janë “shumë të vogla”.

Sa i përket partisë tjetër shqiptare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Drenori thotë se edhe ajo duhet ta luajë një rol për mbijetesë të kësaj legjislature, pasi është në rrezik kalimi i pragut për këtë parti, nëse vendi shkon në zgjedhje.

“Aleancën e shoh si një lloj sateliti aty, për momentin një rol jo shumë të rëndësishëm për zgjedhjen e presidentit. Mirëpo, Aleanca mund ta luajë një rol përafrimi, që të mos shkohet në zgjedhje. Sepse nëse shkohet në zgjedhje, AAK-ja mbetet e rrezikuar që të mos e kalojë pragun. Prandaj, edhe Aleanca duhet t’i shfrytëzojë mundësitë, që kjo legjislaturë ta vazhdojë mandatin”, u shpreh analisti Xhavit Drenori.

“Partitë vështirë se do të arrijnë kompromis”

Njohësi tjetër i çështjeve politike, Ylli Hoxha, thotë se Gjykata Kushtetuese i ka dhënë hapësirë të mjaftueshme partive për gjetjen e një kompromisi, por se sipas tij, është e vështirë që liderët ta arrijnë një kompromis.

“Çështja është nëse partitë politike do ta shfrytëzojnë këtë hapësirë, apo do të abuzojnë, ashtu siç e kanë abuzuar afatin paraprak. Të kuptuarit e kompromisit – pas takimeve që i kanë pasur liderët e partive – lë për të dëshiruar, pasi që qartazi, ata kompromisin e shohin vetëm si diçka në favor të tyre, dhe jo si një rrugë të ndërmjetme mes dy palëve. E shoh të vështirë arritjen e një kompromisi, nëse nuk i ndryshojnë pozicionet radikalisht, por jo edhe të pamundur”, deklaroi Hoxha për Gazetën Enigma.

Çka tash që janë dy kandidatë për President?

Pasi që dy kandidatët e tanishëm për President, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku, janë në letër, shumë njerëz kanë dilemë se si do të vazhdohet me kandidatë të tjerë të mundshëm për President, nëse partitë arrijnë dakordim.

Lidhur me këtë, Gazeta Enigma pyeti ekspertin e ligjeve të Republikës së Kosovës, Anton Nrecajn.

Nrecaj tha se Kushtetuta parasheh deri në katër kandidatë për President, që do të thotë se shumë lehtë mund të shtohet edhe një apo dy kandidatë.

“Këta dy kandidatët mund të qëndrojnë ose të tërhiqen, por edhe mund të vazhdojë procedura me tre kandidatë. Në atë rast, rundi i parë është me tre kandidatë, në rundin e dytë shkojnë dy të parët me më së shumti vota, ndërsa në rundin e tretë ai/ajo me më së shumti vota”, sqaroi Nrecaj për “Enigmën”.

“Pra, minimumi është dy kandidatë, ndërsa maksimumi katër kandidatë”, përfundoi ai. /GAZETA ENIGMA

Related Articles