Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), ka njoftuar se që nga fillimi i fushatës zgjedhore për 9 shkurt, është vërejtur përdorimi i gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes, si në tubimet politike, ashtu edhe në komentet në platformat online.
Në një konferencë për media më 18 janar, Eugen Cakolli nga DnV theksoi se gjatë kësaj jave ka pasur një përkeqësim të përdorimit të gjuhës së ashpër në fushatën zgjedhore, shkruan Gazeta Enigma.
“Këtë javë kemi pasur ashpërsim e përkeqësim të gjuhës së përdorur në fushatë, me plotë 25 aktivitete gjatë monitorimit të së cilave janë raportuar raste të përdorimit të gjuhës së nxitjes apo urrejtjes, kryesisht mbi baza politike”, tha ai.
Sipas tij, gjuhë e tillë është përdorur më së shumti gjatë aktiviteteve të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, por përjashtim nuk kanë bërë pas partitë e tjera.
Ai tha se gjatë monitorimit, dhjetë raste të përdorimit të gjuhës nxitëse, të urrejtjes dhe fyese janë identifikuar në aktivitetet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjashtë në aktivitetet e Partisë Demokratike dhe katër në atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Më herët gjatë javës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) gjobiti me mijëra euro partitë politike.
LDK-ja u gjobit me 20 mijë euro për përdorim të gjuhës së urrejtjes, AAK-ja me 12 mijë euro, ndërsa LVV-ja u gjobit me 3 mijë euro për shkelje të ndryshme të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore, e cila filloi më 11 janar.
Gjatë konferencës për media, Eugen Cakolli njoftoi se DnV-ja ka monitoruar aktivitetin online të 679 kandidatëve për deputetë dhe ka identifikuar 50 raste, ku kandidatë të ndryshëm kanë qenë shënjestër ose autorë të gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes, si dhe lajmeve të rreme.
Në lidhje me komentet në postimet e kandidatëve, Cakolli tha se është vërejtur përdorimi i gjuhës së urrejtjes në 600 mijë komente të bëra për zgjedhjet, ku 7% e komenteve kishin për qëllim kandidatët gra.
Po ashtu, DnV-ja theksoi se vazhdon trendi i mospjesëmarrjes së kandidatëve gra në fushatën zgjedhore.
“Sa i përket pjesëmarrje së grave, vlen të përmendet që trendi i mospjesëmarrjes së grave në fushatë, qoftë aktivisht si folëse, por edhe pasivisht si pjesëmarrëse, është mjaft i ulët. Me mbi 60 për qind të aktiviteteve të monitoruara nga DnV ka pasur prezencë minimale të grave që mezi ka arritur 10 për qind të totalit. Sa i përket pjesëmarrjes aktive, gratë kanë përbërë vetëm 1 për qind të fjalimeve të mbajtura, me gjithsej 70 nga 230 fjalime që ne kemi arritur t’i monitorojmë”, tha ai.
Sipas ligjit në Kosovë, 30 për qind e listës zgjedhore duhet të jetë me kandidate gra për deputete.
Nga DnV-ja thanë po ashtu se në këtë fushatë po vërehet një trend i shpalosjes së njëanshme të programeve nga ana e subjekteve politike, pa pasur komunikim dykahësh. Cakollo u shpreh se kryesisht programet po shpalosen në aktivitete, ku flasin përfaqësuesit e partive pjesëmarrëse në zgjedhje.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit garojnë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.