Dogana e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, ka realizuar të enjten një operacion të përbashkët kontrolli në disa barnatore në Pejë dhe Gjakovë, për të cilat kishte dyshime për posedim dhe tregtim të barnave të kontrabanduara.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se një njësi ka kryer kontrolle në territorin e Gjakovës, ndërsa gjashtë njësi të tjera kanë realizuar kontrolle në Pejë.
Gjatë aksionit janë sekuestruar gjithsej 988 pako medikamentesh, me vlerë të përafërt rreth 10 mijë euro.
“Aksioni është zhvilluar në përputhje të plotë me procedurat standarde operative dhe paraqet një tjetër angazhim konkret të Doganës së Kosovës dhe institucioneve partnere në luftimin e kontrabandës, mbrojtjen e shëndetit publik dhe forcimin e sundimit të ligjit. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me institucionet e sigurisë dhe inteligjencës, të vazhdojë kontrollet dhe veprimet operative ndaj çdo aktiviteti të kundërligjshëm”, thuhet në njoftimin e Doganës.
