Draft-statuti i Asociacionit – Tema kryesore në takimin Kurti – Vuçiq

Draft-statuti i Asociacionit – Tema kryesore në takimin Kurti – Vuçiq

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe pritet të jetë tema kryesore në takimin e nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq sot në Bruksel.

Pak orë para takimit Kurti ka deklaruar se nuk e di çfarë drafti për Asociacionin do ta prezantojë Bashkimi Evropian teksa është zotuar se nuk do t’i jepet kurrfarë pushteti ekzekutiv komunitetit serb në Kosovë.

Marrë parasysh qëndrimet e palëve rreth Asociacionit, njohës të zhvillimeve presin mospajtime të forta në takimin e së martës

Nënshkrimi i deklaratës për personat e zhdukur nga lufta e fundit dhe drafti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, janë çështjet për të cilat do të diskutohet në takimin në Bruksel.

Ky do të jetë takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqi, pas marrëveshjes së Ohrit.

Në prag të takimit, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar Kurtin në Greqi për të diskutuar rreth detajeve të takimit. Diplomati sllovak e ka përshkruar takimin e 2 majit si veçanërisht të rëndësishëm.

“Me t’u kthyer në Bruksel pata një nga shkëmbimet e mia të rregullta me socialdemokratët në Parlamentin Evropian, të cilët ndjekin nga afër rajonin dhe rregullisht udhëtojnë dhe ndërveprojnë me Ballkanin. Dhe e mbylla javën time me diell, ku mora pjesë në Forumin Ekonomik të Delfit në qytetin antik të Delfit. Greqia, si një fqinj i Ballkanit, e njeh dhe e kupton mirë rajonin dhe prandaj forumi i kushtoi vëmendje të veçantë të ardhmes së rajonit”, ka shkruar Lajçak në Facebook. “E informova mikun tim të mirë, ministrin e Jashtëm, Nikos Dendias për zhvillimet e fundit të dialogu. U takova me kryeministrin Albin Kurti për t’u përgatitur në detaje për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë më 2 maj, i cili do të jetë një takim veçanërisht i rëndësishëm”.

Lidhur me draftin, që është paralajmëruar të prezantohet sot, kryeministri Kurti ka thënë për mediumin kroat “Hina” se nuk e ka parë atë.

“Duke marrë parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë që më parë të ma paraqitnin në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që të përmbushet ajo që është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel, ekzistenca e një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e pakicave. Por ajo që ne nuk do të lejojmë është e drejta e territorializimit dhe krijimit të çdo gjëje që do të dukej si Republika Srpska në Bosnjë-Hercegovinë. Nuk do të lejojmë një parashtet satelitor me esencë shkatërruese që do të minonte shtetësinë e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Shefi i ekzekutivit ka shprehur synimin për marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë, por siç ka thënë, jo duke i dhënë kompetenca ekzekutive komunitetit serb në Kosovë. “Vendi ynë, megjithatë, është një vend normal demokratik që u jep të drejta individuale dhe të tjera qytetarëve të tij, por nuk lejon territorializimin në bazë etnike, sepse është kundër demokracisë dhe republikës. Sovraniteti dhe integriteti territorial janë diçka që nuk guxojnë të cenohen”, tha ai.



Related Articles