Qeveria gjermane ka mohuar se është e përfshirë në përgatitjen e një drafti për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Në një përgjigje me shkrim për Telegrafin thuhet se Qeveria e Gjermanisë nuk është e përfshirë në draftimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili është përmendur në disa kanale të mediave të enjten.
“Qeveria Gjermane nuk është e përfshirë në draftimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili është përmendur në disa kanale të mediave dje. Fondacioni Friedrich Ebert, në bashkëpunim me partnerët e tij punon vazhdimisht në tema të rëndësishme shoqërore-politike. Me sa jemi në dijeni ne, ky projekt i veçantë është duke vazhduar dhe rezultatet e tij do të ndahen me hisedarët dhe opinionin publik në kohën e duhur”, thuhet më tej.
“Ambasada shprehimisht e mirëpret secilin kontribut, i cili e çon përpara dialogun publik për këtë çështje të rëndësishme. Në rast se keni pyetje të tjera, ju lutemi t’i drejtoheni Zyrës së Fondacionit Friedrich Ebert në Prishtinë”, thuhet në përgjigje.
Telegrafi merr vesh se fondacioni Fridrich Ebert kishte përgatitur një draft të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por i cili nuk është finalizuar.
Siç bëhet e ditur në momentin e finalizimit, i njëjti do t’i dërgohet hisedarëve dhe do të bëhet i njohur për publikun.
Ndryshe, të mërkurën në mediat e Kosovës ka qarkulluar një “Draft gjerman”, për Asociacionin. Drafti përmban 17 nene dhe parasheh që ky Asociacion t’i ketë 10 komuna me mundësi zgjerimi.
E lidhur me këtë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se qëndrimi qeveritar për Asociacionin është i pandryshueshëm.
Sipas Kryeziut, Asociacioni që karakter themeltar, ka etninë, bie ndesh me Kushtetutën.
“Qëndrimi jonë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është i njohur, i qartë dhe i njëjtë. Asociacioni që karakter themeltar kanë etninë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës sonë dhe vet karakterit e shtetit tonë. Për më tepër, komunitetet jo-shumicë kenë nevojë për integrim, jo izolim”, tha ai.
Sa i përket dokumentit që ka qarkulluar në media, Kryeziu ka thënë se përveçse është Draft, është edhe pa autor.
“Ne jemi Qeveri e Republikës së Kosovës që kemi kushtetutshmëri dhe ligje të cilat i mbrojmë dhe respektojmë”, u shpreh zëdhënësi i Qeverisë.