Drejt Sllovenisë pa simbole shtetërore, çfarë pritet nga samiti BE-Ballkani Perëndimor?

Drejt Sllovenisë pa simbole shtetërore, çfarë pritet nga samiti BE-Ballkani Perëndimor?

Liderët e Bashkimit Evropian (BE) do të mblidhen ‘kokë më kokë’ me liderët e Ballkanit Perëndimor, në samitin e radhës, që pritet të mbahet në Bërdo afër Kranjit në Slloveni, të mërkurën, më 6 tetor. Forcimi i marrëdhënieve midis shteteve pritet të jetë fokus i këtij samiti, në të cilin do të marr pjesë edhe Kosova, shkruan Gazeta “Enigma”

Sipas deklaratave të liderëve, BE-ja pritet të përsërisë përkushtimin për perspektivë evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe po ashtu vendet e rajonit të përsërisin orientimin e tyre drejt BE-së.

27 vendet anëtare të BE-së, para takimit janë dakorduar për një deklaratë që pritet të bëhet publike ditën e mbajtjes së Samitit, të mërkurën.

Në dokument theksohet se deklarata “është në interes strategjik dhe mbetet një zgjedhje e përbashkët strategjike”.

Sikur edhe në deklaratat e mëhershme nga samitet e tilla edhe kësaj radhe do të përsëriten thirrjet për respektimin e parimeve të demokracisë, sundimit të ligjit, lirisë së mediave, shoqërisë civile, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat e pakicave dhe kritereve tjera të cilat janë parime themelore të BE-së.

Çka thotë draft-deklarata?

“BE-ja rikonfirmon përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit dhe vendimet në atë drejtim, bazuar në reformat kredibile të partnerëve, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimet e meritave individuale. Prandaj, do të intensifikojmë më tej angazhimin tonë përpara në rajon drejt transformimit politik, social dhe ekonomik, duke njohur përparimin e arritur nga Ballkani Perëndimor. Në këtë kontekst, ne nënvizojmë rëndësinë që të sigurohet që BE-ja të ruajë dhe thellojë zhvillimin e vet, përfshirë edhe kapacitetet për të integruar anëtarë të rinj”, thuhet në versionin e fundit të draftit të deklaratës, që pritet të miratohet në Bërdo.

“Mbështetja e rritur e BE-së do të varet edhe në të ardhmen nga përparimi i prekshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe reformave socio-ekonomike, sikur edhe nga përkushtimi i partnerëve ndaj vlerave evropiane, rregullave dhe standardeve”, thuhet në këtë draft-deklaratë.

BE-ja gjithashtu do të kërkojë nga vendet e rajonit që të vazhdojnë të përshtatin qëndrimet e tyre në politikën e jashtme me qëndrimet e përbashkëta të BE-së. Po ashtu nga liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që në dokument përmenden si “partnerë”, kërkohet që të bëjnë më shumë për t’u shpjeguar qytetarëve rëndësinë e institucioneve evropiane dhe faktin që BE-ja pa asnjë dyshim është partnerja më e afërt, investitorja kryesore dhe donatorja më e madh e ndihmës për rajonin.

Nga teksti i këtij drafti shihet po ashtu se BE-ja do të kërkojë nga vendet e rajonit që të jenë të përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura mes tyre.

“Hapat e mëtejmë të vendosur nevojiten për të forcuar pajtimin dhe stabilitetin rajonal, sikur edhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje finale, përfshirëse dhe obliguese të mospajtimeve bilaterale mes partnerëve dhe çështjeve që janë të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë edhe Marrëveshjen për suksesionin”, thuhet në mes tjerash në tekstin e këtij draft-dokumenti.

Kosova pa simbole në Samit, nuk i pranon Spanja

Ndonëse edhe Kosova pritet të jetë pjesëmarrëse në samit, liderët kosovar nuk do të prezantohen me simbolet shtetërore. Kështu të paktën kanë raportuar mediat spanjolle, të cilët thonë se Spanja s’merr pjesë, nëse ndodh e kundërta.

Gazeta “Enigma” ka tentuar të marr një përgjigje nga Ministria e punëve të Jashtme të Kosovës, porse të njëjtit nuk kanë pranuar të përgjigjen.

Mediat spanjolle njoftuan se, Sanchez do të udhëtojë në Lubjanë për një takim të udhëheqësve të Bashkimit Evropian përpara samitit që do të mbahet me përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor.

Herën e fundit Presidenti i atëhershëm i Spanjës, Mariano Rajoy, ishte i ftuar në një tubim të tillë në 2018, por ai vendosi të mos marrë pjesë për shkak të pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Kosovës, kujton e përditshmja katalanase “El Periodiko”.

Në atë samit, të gjitha simbolet e Kosovës ishin hequr dhe kjo, me kërkesë të Spanjës, do të ndodhë përsëri të mërkurën në Lubjanë, shkruan e përditshmja katalanase.

Përveq Spanjës, Kosova nuk njihet as nga Greqia, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia./Gazeta Enigma


Related Articles