Të martën Komisioni për Shëndetësi i Kuvendit të Kosovës, kanë vizituar Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), ku ndër të tjera u kërkua ndarja e shtesave më të larta për puntorët shëndetësor, si dhe paga meritore për ta, raporton Gazeta “Enigma”.
Pas kësaj vizite, Fatmire Kollqaku, deputete e Vetëvendosjes, u zotua se do të angazhohen për t’i plotësuar kërkesat e mantelbardhëve. “Ne do të angazhohemi për rritjen e shtesave, por angazhimi jonë kryesor do të jetë për rritjen e pagave për gjithë sektorin shëndetësor pa dallim”, tha ajo në një konferencë për media.
Po ashtu ajo theksoi se mbështetja buxhetore për këtë kategori nuk do të mungojë gjatë mandatit të Qeverisë “Kurti”.
Në anën tjetër, drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi parashtroi kërkesa të qarta drejt deputetëve për të përmirësuar kushtet e punës për mantelbardhët. Ai tha se kërkesa kryesore është zbatimi i ligjit për paga për punëtorët shëndetësor, raporton tutje Gazeta “Enigma”.
“Ne shprehëm kërkesat tona në lidhje me mbarëvajtjen e punës, përfshirë një përkrahje më të madhe buxhetore, dhe në aspektin e reformimit dhe legjislacionit që rregullon çështjen e shëndetësisë. Biseduam për listat e pritjes, dhe e gjithë tema ishte e fokusuar që bashkërisht të gjejmë mënyra më të mira që të avancojmë edhe më tutje shërbimet për qytetarët tanë. Ne duam ta shohim sa më parë në zbatim ligjin e pagave, vetëm ky ligj do zgjedh njëherë e mirë çështjen e pagesave për punëtorët shëndetësor. Kurse për shtesat kërkojmë që ato të jenë sa më të larta për punëtorët shëndetësor, të cilët asnjëherë nuk kanë hezituar të japin shërbime për qytetarët, dhe ka ardhur koha që ata të marrin pagën që e meritojnë”, tha
Kurse deputeti nga opozita, Bekim Haxhiu i PDK-së, e cilësoi si të rënd gjendjen me pandeminë në vend. Ai deklaroi se Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë që nuk ka kontratë për furnizim me vaksina./Gazeta Enigma