Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten në Bruksel mori pjesë në drekën e punës me liderët e Ballkanit Perëndimor me ftesë të Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, shkruan Gazeta Enigma.
Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje për takimin e zhvilluar, ku thuhet se Kurti “u shpreh i gatshëm për ta vazhduar bashkëpunimin e afërt me qëllim avancimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe integrimin evropian të Kosovës”.
Në këtë drekë pune, Kurti ka bërë thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim.
Poashtu kreu i ekzekutivit i ka kërkuar Von der Leyenit që t’i hiqen masat Kosovës.
“Theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti bëri thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim. Në të njëjtën kohë, kërkoi që masat restriktive mbi Kosovën, të cilat i quajti të padrejta dhe jo fer, të hiqen”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
“Sa i përket Planit të Rritjes, kryeministri Kurti u shpreh se Kosova ka qenë një ndër vendet e para që ka dorëzuar Agjendën e Reformave, duke treguar kështu përkushtimin e saj për Planin e Rritjes.
Në prag të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, ai i konfirmoi mbështetjen për këtë proces, teksa shprehu angazhimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për marrëveshje të reja, dhe në të njëjtën kohë theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve të mobilitetet të nënshkruara në vitin 2022 në Berlin.
Çështje të tjera që u adresuan nga kryeministri gjatë drekës ishin edhe Programi i Transportit dhe Lehtësimit, tregu unik digjital, Zona e Përbashkët Evropiane e Pagesave (SEPA), Tregu i Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimi e siguria rajonale”, thuhet tutje në njoftim.