Dugolli i VV-së flet për bisedat Kusari – Lila – Simiq: Fushatë për të na dëmtuar

Dugolli i VV-së flet për bisedat Kusari – Lila – Simiq: Fushatë për të na dëmtuar

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, është deklaruar për bisedat e publikuara të Kusari – Lila – Simiq, raporton Gazeta “Enigma”.

Dugolli ka thënë se komunikimet e publikuara së fundmi ku përfshihet shefja e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet, Mimoza Kusari-Lila dhe koordinatorja e komiteteve të LVV-së, Dejona Mihali, janë fushatë e egër për ta dëmtuar LVV-në dhe Qeverinë.

Kusari-Lilës iu publikuan disa komunikime nga portali “Nacionale”, ku pretendohet se ajo u koordinua me Listën Serbe për Ligjin e Pagës Minimale dhe votimin e një gjykatësi në Kushtetuese. Ndërsa të hënën, po ky portal, publikoi komunikimet e Mihalit me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili u dorëhoq pas akuzave për korrupsion.

“Fushatë e egër për të baltosur, për të dëmtuar Lëvizjen Vetëvendosjen dhe Qeverinë”, ka thënë Dugolli në “60 Minuta” të KTV-së.

Për seancën e jashtëzakonshme që do të mbahet nesër me iniciativë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të diskutuar rreth këtyre komunikimeve, deputeti i LVV-së u shpreh se është temë tjetër e shpikur nga opozita dhe pa kurrëfarë rezultati.

“Jemi afër zgjedhjeve dhe kjo parafushata ka filluar tash edhe në Parlamenti. Opozita shpik tema të ndryshme, thërrasin këto seanca, ndonëse nuk i shfrytëzojnë mekanizmat e demokracisë për secilën temë, secilin problem. Është një farë rendi demokratik se si trajtohen ato, por këta i ikin qëllimshëm atyre. Secila ministri ka kontrollin parlamentar, që janë komisionet. Secila temë duhet të trajtohet aty, para se të propozohet për diskutim në Parlament”, ka deklaruar ai.

Dugolli bëri të ditur se as nesër nuk do të marrin pjesë në seancë të jashtëzakonshme. Deputetët e pushtetit s’morën pjesë as në seancën e jashtëzakonshme të hënën, të thirrur nga opozita.

“Pozicionimi i opozitës nuk ka lënë vend që ne t’i përgjigjemi këtyre seancave të jashtëzakonshme. Këto janë agjenda puro elektorale. Për të bërë zhurmë, për të mos prodhuar asgjë. Ne po ua themi përditë, ky lloj narracioni nuk kalon. Nuk mund të na shantazhojnë për të shkuar në këto seanca boshe. Nuk ua mirëmbajmë agjendën elektorale”, ka shtuar ai.

Për komunikimet e Mihalit dhe ish-shefit të KEK-ut, Dugolli ka thënë se për këtë çështje më i shqetësuar është se si rrodhën informatat nga Prokuroria. Për këtë, ai ka sugjeruar të pyetet kryeprokurori Blerim Isufaj.

“Janë në domenin e fushatës elektorale. Përfshihen institucionet që nuk duhet të ishin politike, nuk duhet të ishin në vallet e opozitës, por jetojmë këtu dhe po e shohim. A janë të vërteta këto komunikime? Këtë pyetje kryeprokurorit Blerim Isufaj, si rrodhën dhe kush i plasoi. Jam shumë i shqetësuar si deputet dhe si qytetar, shkaku nëse po flitet se është duke u zhvilluar një proces gjyqësor dhe nuk ka përfundim të hetimeve, dhe burimeve që kanë dalë sepse në portale thuhet se e kanë burimin te Prokuroria Speciale. Për mua shqetësim është si rrodhën”, ka thënë Dugolli, i cili shtoi se nuk mund të gjykojë pa përfunduar hetimet.

Dugolli, duke folur për Mihalin, deklaroi se ka kaluar koha kur aktivistë nga Shqipëria dëboheshin nga Kosova.

“Mihajli është tentu të shënjestrohet, por një gjë ta kenë të qartë të gjithë: Ka kaluar koha kur qytetarë e aktivistë nga Shqipëria dëboheshin dhe tentohej t’i ndalohej hyrja në Kosovë, ndërsa kriminelët nga strukturat ilegale në veri endeshin të lirshëm. Ajo kohë ka kaluar. Aktivistët janë të lirë, nuk përndiqen nga Qeveria Kurti. Askush nuk i raporton Mihajlit. Ajo ka pozitë të caktuar në partinë që ka fitu mbi 50 për qind”, potencoi ai.

Dugolli ka paralajmëruar se shumë shpejt opinioni do të njoftohet për manipulimet e qëllimshme për komunikimet në të cilat është përfshirë Kusari-Lila duke biseduar me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.

“Komunikimi që po rikthehet, rikthehet e rikthehet, ku Kusari-Lila e ka pranuar deri në një shkallë dhe tash ka dalë përtej asaj që e kemi pritur, në aspektin e spekulimeve nga qarqet e caktuara. Kusari-Lila po merret seriozisht me këtë. Shumë shpejt besoj opinioni dhe mediat do të njoftohen për tentativat dhe manipulimet e qëllimshme për të dëmtuar edhe Kusari-Lilën, edhe Vetëvendosjen, edhe Qeverinë. Këto nuk janë të rastësishme. Do të bëhet ekspertizë dhe do të dalin në shesh këto gjëra. Më shumë i besoj Kusari-Lilës, se Rakiqit dhe Simiqit”, ka thënë deputeti i LVV-së.

Related Articles