Dukagjini ka arritur të fitojë me penallti (4-3) në në ndeshjen e barazhit për Superligën e Kosovës ndaj Trepçës ’89, pasi ndeshja e rregullt dhe vazhdimet u mbyllen me rezultat të barabartë 1-1.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë ka dhuruar shumë emocione dhe ishte shumë e luftuar.
Megjithatë, në fund ishin vetëm klinasit atë të cilët iu gëzuan fitores dhe inkuadrimit në Superligën e Kosovës.
Pjesa e parë e ndeshjes u takoi për një nuancë mitrovicasve, të cilët patën më shumë raste për gol, dhe arritën ta tundin rrjetën një herë.
Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 30-të dhe ishte Adenis Shala, i cili nga afërsia shënoi për 0-1 pas asistimit të Arbnor Mujës.
Në pjesën e dytë, Dukagjini arriti të kthehet në lojë, të krijoj më shumë dhe të shënojë edhe golin e barazimit.
Ishte sulmuesi i njohur Labinot Osmani (52’) që nga afërsia arriti të barazojë shifrat në 1-1 pas asistimit të Altin Merlakut.
Deri në fund të ndeshjes pati edhe disa raste nga të dyja skuadrat, por pa arritur t’i ndryshojnë shifrat dhe ndeshje shkoi në vazhdime pas barazimit 1-1.
Pjesa e parë e vazhdimeve i takoi për një nuancë ‘Minatorëve’ të cilët rrezikuan me anë të Muharrem Jasharit (91’), por goditja shkoi jashtë portës dhe shifrat mbeten të pandryshuara.
Në pjesën e dytë të vazhdimeve, nuk është se pati edhe aq lojë pasi të dyja skuadrat nuk dëshironin të rrezikonin dhe të humbnin në fund, kështu që u pajtuan me ekzekutimin e penalltive, pasi ndeshja pas 120 minutave u mbyll 1-1.
Në penallti më të saktë ishin lojtarët e Dukagjinit, të cilët arritën të shënojnë katër penallti, ndërsa 89-shi shënoi tre herë.
Me këtë fitore, Dukagjini siguron inkuadrimin në Superligë, duke iu bashkuar dy skuadrave tjera nga Liga e Parë, Malishevës dhe Ulpianës.
Trepça ’89: Sedat Berisha 1-0, Arbnor Muja 2-1, Muharrem Jashari X, Ardian Muja X, Robert Rrahmani 3-3.
Dukagjini: Labinot Osmani 1-1, Vildan Kerim 2-2, Elton Basriu X, Altin Merlaku 2-3, Erlind Mulaj 3-4.