Mbrëmjen e së enjtes dy persona kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të disa zyrtarëve policor, në fshatin Dobërdol të Podujevës.
Ngjarja ishte shkaktuar pasi të dyshuarit ishin futur në një shtëpi për të vjedhur, derisa në shtëpi nuk gjendej askush.
Pronarët e shtëpisë i kishin parë përmes kamerave të sigurisë personat që kishin hyrë në shtëpi dhe kështu e lajmëruan policinë të cilët dolën në vendin e ngjarjes.
Në tentim për t’i arrestuar të dyshuarit zyrtarët policorë u përballën me plumba, pasi të dyshuarit ishin të armatosur dhe shtien drejt tyre.
Nuk raportohet për të lënduar gjatë ngjarjes, ndërkaq sipas informacioneve të dyshuarit kanë arritur të marrin nga shtëpia stoli ari dhe gjëra të tjera të vlefshme për familjen.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti ka konfirmuar për Gazetën “Enigma” se dy persona kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të policëve në fshatin Dobërdol të Podujevës.
“Rreth orës 18:20, kemi pranuar informatën se në një shtëpi në fshatin Dobërdol të Podujevës, me forcë janë futur katër persona të dyshuar. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të personave të dyshuar. Në ikje e sipër njëri nga personat e dyshuar ka shtënë me armë zjarri, nuk raportohet për persona të lënduar”, deklaroi Ahmeti.
Tutje, ajo shtoi se policia janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.
Në lidhje me rastin ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Ai ka dënuar sulmin me armë zjarri ndaj policëve në fshatin Dobërdol. /Gazeta Enigma/.