Dy ura të reja në Mitrovicë: Zhvillim infrastrukturor apo rrezik për tensione ndëretnike?

Dy ura të reja në Mitrovicë: Zhvillim infrastrukturor apo rrezik për tensione ndëretnike?

Qeveria e Kosovës, e cila aktualisht është duke funksionuar me kompetenca të kufizuara, ka paralajmëruar se ka në plan ndërtimin e dy urave në qytetin e Mitrovicës, mbi lumin Ibër, ku edhe bëhet ndarja mes pjesës veriore dhe asaj jugore të qytetit, shkruan Gazeta “Enigma”.

Një veprim i tillë po vlerësohet si i mundshëm për të shkaktuar tensione në atë zonë, veçanërisht te komuniteti serb lokal.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se ndërtimi i urave mbi lumin Ibër është planifikuar në bazë të një marrëveshjeje mes Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

“Memorandumin e filluam me nënshkrimin e projektit të përbashkët për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër. Këto projekte do të lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve nga të dyja komunat dhe do të shërbejnë si infrastrukturë në funksion të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve, duke forcuar integrimin social dhe zhvillimin ekonomik në të dy anët”, ka deklaruar ministri Aliu.

Menjëherë pas këtij njoftimi ka reaguar Bashkimi Evropian dhe Lista Serbe.

BE distancohet

Bashkimi Evropian, përmes një reagimi, ka theksuar se çfarëdo punime që kryhen në pjesën veriore duhet të bëhen me kujdes të shtuar dhe me përfshirjen e plotë të të gjitha komuniteteve të prekura atje.

“BE-ja nuk është në dijeni të këtij projekti dhe as nuk është e përfshirë në të”, ka deklaruar një zëdhënës i BE-së.

Ndërkohë, Lista Serbe ka thënë se “Kurti po e zbaton me shpejtësi dhe pa asnjë fshehje planin për spastrim etnik të popullit serb nga territori i Kosovës”.

“Qeveria duhet të jetë më e vëmendshme, të mos nxisë ndonjë konflikt”

Në lidhje me këtë çështje, Gazeta “Enigma” ka kontaktuar deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e cila ka theksuar se, për shkak të situatës aktuale dhe kontekstit gjeopolitik, nuk është e udhës që Kosova të përfshihet në ndonjë konflikt.

Tutje, ajo ka shtuar se Qeveria nuk ka qenë në koordinim me ndërkombëtarët lidhur me këto vendime.

“Deklaratat që i kemi dëgjuar nuk kanë qenë në koordinim me faktorin ndërkombëtar. Për shkak të zhvillimeve të fundit gjeopolitike, është mirë që Kosova të mos jetë pjesë e ndonjë konflikti”, ka deklaruar ajo.

“Është mirë të mos i jepet rast që të tensionohet gjendja, sepse kur nuk ka qetësi, në çdo moment mund të shpërthejë konflikti. Qeveria e Kosovës është dashur të jetë më e vëmendshme në këtë drejtim, në mënyrë që të mos nxisë ndonjë konflikt”, ka thënë Kadrijaj për “Enigmën”.

“Ne po i përcjellim këto zhvillime, por megjithatë Qeveria e Kosovës nuk është dashur të ndërmarrë diçka që mund të nxisë ndonjë konflikt në pjesën veriore. Për shkak të situatës së krijuar dhe për shkak të zhvillimeve gjeopolitike, kur po zhvillohen luftëra anembanë botës, është dashur të punohet që të mos ketë trazira”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se projekti i dy urave në pjesën veriore mund të ndikojë edhe në prishjen e raporteve ndëretnike atje.

“Projekti i dy urave të reja mbi lumin Ibër nga Qeveria Kurti duhet parë në një kontekst më të gjerë: dështimi i integrimit funksional të Urës së Ibrit, e cila ka mbetur simbolikisht e hapur, por realisht jo funksionale për automjete; kufizimet që vijnë nga marrëveshjet e Brukselit dhe moszbatimi i tyre nga Serbia; si dhe rreziku i tensioneve ndërmjet komuniteteve në veri të Mitrovicës dhe përpjekjet e Qeverisë për të marrë kontroll efektiv institucional”, ka deklaruar Shala.

Tutje ai ka shtuar se ndërtimi i dy urave në veri mund të perceptohet nga serbët lokalë si një akt anashkalimi i marrëveshjeve ekzistuese, duke nxitur protesta, bllokada ose akte sabotuese.

Sipas Shalës, “kjo mund të shfrytëzohet nga strukturat paralele dhe nga Qendra Operative Serbe në veri si pretekst për propagandë dhe aktivitete destabilizuese”.

“Nëse ura e Ibrit nuk do të hapet kurrë për automjete për shkak të tensioneve, atëherë Qeveria po kërkon zgjidhje funksionale që anashkalojnë pengesat politike”, tha Shala.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, edhe në korrik të vitit të kaluar, pati planifikuar të hapë për qarkullim për vetura urën mbi lumin Ibër, por kjo pati shkaktuar tensione në Mitrovicë dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare./Gazeta Enigma/

Related Articles