Tash e disa ditë shumë qytetarë të Deçanit po ballafaqohen me vjellje, kokëdhembje, dhimbje barku dhe shumë simptoma të tjera të cilat janë shfaqur si pasojë e helmimit të tyre nga uji KRU “Hidrodrini”, shkruan Gazeta Enigma.
Madje, dyshimet janë ngritur edhe për dy vdekje, të cilat po konsiderohen se kanë ardhur si pasojë e helmimit nga uji.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën “Enigma”, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi
Nikçi ka deklaruar se prokurori ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obdukim në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre.
“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. Për shkak të situatës se krijuar në atë rajon, Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obdukim në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre”, ka thënë Nikçi.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha për Gazetën “Enigma” se janë duke u përgatitur që të furnizojnë më ujë qytetarët.
“E kemi tash një takim, ku Komuna do të marrë përgjegjësinë që të furnizojë me ujë qytetarët përmes zgjidhjeve të ndryshme, ndoshta edhe me blerje të ujit”, tha Ramosaj.
I pari i Komunës së Deçanit, gjatë ditës së djeshme ka mbajtur një konferencë për media duke njoftuar se numri i personave të helmuar ka filluar të ketë rënie, derisa theksoi se fillimisht dyshimet ishin për një ndonjë sëmundje virale sezonale.
Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”, mirëpo Ramosaj në një konferencë për media tha se janë duke bërë përpjekje maksimale për gjetjen e shkaqeve të këtij helmimi dhe deri më tani të gjitha dyshimet janë vetëm hipoteza
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshimta të baktereve.
Ndryshe, të paktën 428 pacientë kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan me simptoma të helmimit.
Ndërsa, Gazeta Enigma merr vesh se kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe Drejtori i Spitalit, Selmon Berisha, janë në një takim me IKSHPK-në për të ndërmarr masa dhe marrjen e rezultateve të KRU “Hidrodrinit”.
/Gazeta Enigma/.