Dy vjet nga ardhja e Kurtit në pushtet, kritikohet për mosrealizim të premtimeve

Dy vjet nga ardhja e Kurtit në pushtet, kritikohet për mosrealizim të premtimeve


Dy vite më parë, më 23 mars, Albin Kurti kishte arritur të ulet në krye të ekzekutivit kosovar, për të dytën herë radhazi, shkruan Gazeta “Enigma”.

Por edhe dy vite pas, Kurti po kritikohet se nuk ka përmbushur pritshmërinë e qytetarëve, që ishin rritur përmes premtimeve të tij elektorale.

Politologu Fidan Ukaj për Gazeta “Enigma” thotë se ajo që mbahet mend më së shumti nga qeveria aktuale janë mbledhjet e shumta, por jo edhe ndonjë e arritur konkrete.  

“Nëse mund të themi se ka pasur arritje për gjatë këto dy vite të qeverisjes së kryeministrit Kurti, mund të themi se janë numri i mbledhjeve të qeverisë Kurti, siç e potencoj edhe vet kryeministri i cili u krenua me numrin e mbledhjeve te qeverisë së tij, e aty përfunduan edhe sukseset e tij për këto dy vite të qeverisjes”, tha Ukaj.

Ai vlerëson se Qeveria Kurti, përgjatë këtyre dy viteve qeverisje, nuk ka përmbushur asnjë premtim që e ka dhënë, duke theksuar depolitizimin e ministrive, e edhe ikjen e frikshme të të rinjve nga Kosova.

“Nëse flasim për dështimet mund të themi lirisht se, po thuajse të gjitha premtimet që zoti Kurti deri më tani i ka premtuar, asnjëra prej tyre nuk është realizuar, që nga depolitizimi i institucioneve është gjendja e njëjtë, mos me thanë edhe më keq, në arsim, shëndetësi, papunësia në anën tjetër, e ikja në masë e të rinjve”, potencon ai.

Tutje, Ukaj thotë se Kurti premtoi dialog me serbët lokal, e jo me Beogradin zyrtar.

“Premtime tjera që dialogun do ta bëjë me serbët lokal, e jo me Serbinë pa kerkuar falje, e pa i gjet të pagjeturit, e deri te dialogu që e renditë në prioritetin numër shtatë, e që sot është në top prioritetet e Qeverisë Kurti.”

Tutje ai thotë se “E vetmja “arritje” konkrete e Kryeministrit Kurti është dakordimi në mirëbesim për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi, me 27 shkurt e me 18 mars në Ohër. /Gazeta Enigma/

Related Articles